Identifikohet shqiptari i arratisur nga burgu në Itali natën e Vitit të Ri

AKTUALITET


Kristjan Mëhilli 27 vjeç, është i riu shqiptar i arratisur gjatë natës së ndërrimit të viteve nga burgu i Verçellit në Itali. 27 vjeçari është arrestuar si anëtar i bandës “Ice Eyews”, mjaft e famshme për grabitje të rënda. Mediat italiane e konsiderojnë 27 vjeçarin si të rrezikshëm dhe të paskrupullt.

Si ndodhi arratisja? Plani ishte bërë nga Mëhilli dhe një bashkëatdhetar tjetër, të dy në qeli. Fillimisht kanë sharruar hekurat e dritares së qelisë. Më pas me çarçafë të lidhura litar, të dy kanë mundur të zbresin nga kati i katërt i qelisë në murin e brendshëm të burgut. Të ndihmuar nga persona të jashtëm, të cilët u kanë hedhur litar brenda murit rrethues të burgut, Mëhilli ka arritur të largohet ndërsa tjetri është rrëzuar e ka thyer krahun. Ky i fundit është kapur nga rojet e burgut. Kërkimet janë duke u zhvilluar në të gjithë rajonin për orë të tëra, me postblloqe të shumta për kapjen e 27 vjeçarit. Mëhilli vuante dënimin në Vercelli deri në vitin 2029 bashkë me shqiptarin tjetër.


Banda famëkeqe me 4 anëtarë kryente grabitje në vila në zonat Alessandria, Casalese dhe Vercelli. Të armatosur dhe të dhunshëm, kështu ishin identifikuar fillimisht të katërt anëtarët e bandës. Me Mëhillin, që banonte në Tortona, u arrestuan edhe Çesk Thani, Augustin Pjetergjokaj dhe Kristjan Keci. Banda goditi jo vetëm në zonën tonë, por edhe në Bresciano dhe në provincën e Bergamos. Në një rast pronari i vilës u detyrua të binte në gjunjë dhe u rrah për vdekje për të treguar kombinimin e kasafortës. Kur Mëhilli dhe bashkëpunëtorët e tij u arrestuan, karabinierët gjetën armë, plumba, mjete vjedhjeje. Akuzat ndaj tyre ishin për bashkim kriminal me qëllim kryerjen e grabitjeve të banesave dhe armëmbajtje pa leje dhe sende të afta për ofendim dhe vjedhje, marrja e sendeve të vjedhura, lëndime të rënda personale.

Shqiptarët janë autorë të disa grabitjeve në Itali. Ata kanë goditur kujdestarin e një çifti të moshuar duke grabitur 400 mijë euro. Nëntorin e 2019-ës, të armatosur dhe me shufra hekuri, të rinjtë shqiptarë grabitën vilën e sipërmarrësit Riccardo Coppo, në Cella Monte ku morën 60 mijë euro dhe sende me vlerë.  Përveç grabitjes shqiptarët janë përgjegjës edhe për një sulm tjetër në Trescore Balneario (Bergamo), më 12 dhjetor 2018; dhe tre grabitje në tentativë, në Parabiago (Milano), më 14 qershor 2018 dhe 8 maj 2019, dhe në Erbusco (Brescia), më 13 maj.




Skip to toolbar