India sulmon me raketa Pakistanin, rrëzohen pesë avionë, të paktën 26 të vrarë

BOTA


Forcat indiane kanë sulmuar Pakistanin me raketa në tre zona. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i ushtrisë së Pakistanit, referuar TV shtetëror të vendit.

Gjithashtu, raportimet e fundit flasin për sulme intensive me raketa ku ka pasur, shpërthime të mëdha në zonat kufitare të shteti të administruar nga Pakistani, siç është Kashmiri, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas ushtrisë pakistaneze, 26 persona u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën nga sulmet në territorin e vendit mbrëmë, raportoi Reuters.Ministria e Informacionit e Pakistanit njoftoi se ushtria e vendit rrëzoi pesë avionë luftarakë indianë dhe një dron, dhe shkaktoi “dëme serioze në pozicionet e armikut përgjatë Vijës së Kontrollit”, sipas një deklarate nga qeveria pakistaneze në rrjetin X.

Gjithashtu, në të njëjtin njoftim, ministria pakistaneze deklaron se Ushtria Indiane ka ngritur një flamur të bardhë në kompleksin Chura përgjatë asaj linje.

“Sapo ka filluar, a e ngritët flamurin e bardhë? Fillimisht ia mbathën nga hetimi, tani ia kanë mbathur nga terreni”, tha në internet Ministri i Informacionit i Pakistanit, Ataullah Tarar.

Më parë, zëdhënësi i Ushtrisë Pakistaneze, Ahmed Sharif, tha se Ushtria Indiane kishte kryer 24 sulme në gjashtë vende të ndryshme në të gjithë Pakistanin , duke synuar zonat civile, objektet fetare dhe zonat e banimit.

Sipas televizionit Sama të Pakistanit, disa xhami u goditën drejtpërdrejt, Xhamia Bilal në qytetin Muzaffarabad në pjesën pakistaneze të Kashmirit u shkatërrua plotësisht.

Sipas burimeve të larta të sigurisë dhe zyrtarëve të lartë të paidentifikuar, Pakistani dyshohet se ka rrëzuar gjashtë avionë luftarakë të Forcave Ajrore Indiane.



Skip to toolbar