“Interesi i Kurtit, pushteti”/ Tarifa: Idologjia e tij nuk funksionon. Milo: Veprimtaria në Shqipëri dhe RMV, e gabuar

Më të fundit


Ish ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fatos Tarifa thotë se interesi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe pushteti.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Tarifa u shpreh se Ideologjia liberale e tij, ultra e majtë nuk funksionon në kohët e sotme.


Fatos Tarifa: Ky është një pragmatizëm politik, jo parimor aspak. Interesi i Kurtit është Vetëvendosja dhe pushteti. Mënyra e qeverisjes është pak diletanteske.

Ai jeton akoma me ideologjinë e Vestalisë, shteti kombëtar, në ligjerimin e tij të fundit kjo është një shtet sovran. Një shtet sovran që nuk të njeh pjesa më e madhe e vendeve të botës. Problemi që dua të theksoj është ky, nuk mund t’i kundërvihesh SHBA kur ata të këshillojnë ndryshe me argumentin që jemi shtet sovran.

Atë kur s’e kupton ai, kot ia themi. Ideologjia liberale e tij, ultra e majtë nuk funksionon në kohët e sotme, sidomos një vend të vogël, ende të panjohur në Evropë, me probleme të pazgjidhura me fqinjët e saj, me një demagogji që mua vetë më bën të ndihem keq, me premtimet për bashkimin kombëtar, krijimin e një shteti, konfederate që janë jashtë cdo realiteti në kohën tonë. Janë një ëndërr e bukur, por sot për sot janë të parealizueshme.

Ndërsa ish ministri i Punëve të Jashtme, Paskal Milo theksoi se veprimtaria e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut është e gabuar.

Sipas tij, duhet luftuar keqpërdorimi i ndjenjave nacionaliste në shërbim të politikës së ditës.

Paskal Milo: Edhe veprimtaria e Vetëvendosjes në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, janë mesazhe që nuk ndihmojnë. Çdo qasje që bëhet në momente të caktuara, në qarqe të caktuara të Kosovës apo edhe të Tetovës më pak, janë shumë të gabuara kur duan të minimizojnë rolin e Shqipërisë në botën shqiptare të Ballkanit Perëndimor. Këtu nuk është fjala për të vendosur një lloj protektorati apo për të pranuar që Shqipëria historikisht ka qenë qëndra e rrezatimit mbarëshqiptar. Ka mendje dhe ka njerëz qoftë në Prishtinë qoftë në një vend tjetër, që i përkëdhel kjo sedër nacionaliste për të krijuar qendra bipolare nacionalizmi dhe influenca nacionaliste. Dhe kjo është shumë e rrezikshme në politikë. Nuk duhet të gjykojmë dhe inkurajojmë luftë brenda shqiptarëve se kush është i pari, është shumë e gabuar. Dikur edhe në të shkuarën ka pas qenë, po ka qenë më shumë e përqëndruar rreth individëve, ose ka qenë një tezë historike që kush e bëri pavarësinë e Shqipërisë. Ka teza të pabazuara jo shkencore pavarësinë e Shqipërisë e ndërtuan e shpallën, Shqipëria e Veriut dhe Kosova, se ata luftuan. Por nuk duhet të harrojmë, platformat dhe mendjet e nacionalizmit shqiptar ishin në jug. Ndaj them tani, duhet të kemi shumë kujdes. Duhet të luftojmë keqpërdorimin e ndjenjave nacionaliste në shërbim të politikës së ditës, sepse ajo cka thash që Kurti mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme do ishte konfirmim i kësaj linjë. Për fat të keq, kjo tregon edhe një pjesë e mirë e elektoratit të shqiptarëve të Kosovës ende ushqehen me iluzione nacionaliste.

Ndër të tjera, ish diplomati Tarifa nënvizoi se Kosova është krijesë e amerikanëve.

Fatos Tarifa: Nuk e besoj këtë të dytën. Unë e them gjithmonë ekzistenca e Kosovës është prej amerikanëve. Kosova është një krijesë e amerikanëve. Nuk besoj do kishte kosovar me dy pare mend në kokë që do të ishte antiamerikan, mund të ketë individë të vecantë, por unë mendoj se ne Ballkani jemi të gjithë shoqëri folklorike dhe ndaj ky nacionalizëm, ka një rrënjë të thellë. Nuk jemi shoqëri romantike siç mendojnë disa, është Evropa qëndrore, hungarezët, cekët, polakët. Jemi shoqëri që ende nuk ka hyrë në fazën e modernitetit siç ka hyrë Evropa, do të marrë kohë. Jemi ende paramodern në çdo pikëpamje. Jetojmë në një kohë shumë moderne, jemi pjesë e një bote të globalizuar, kemi shqiptarë të shquar gjithandej nëpër botë, i përmendi jo paqëllim sekretari Blinken, por përsëri këtu në trojet tona jemi ‘Muji dhe Halili’.




Skip to toolbar