‘Ja ku jemi prapë!’ Sokol Balla rikthehet në ekran, të enjten në Report Tv me një ‘hard talk’ me Edi Ramën 

AKTUALITET


Pas largimit të papriturg nga Top Channel, gazetari i mirënjohur Sokol Balla  rikthehet në ekran, këtë herë në Report TV, në kanalin informativ më të suksesshëm sot në Shqipëri që sapo ka hapur selinë e re me studio të mëdha dhe moderne, dhe hapësira inovative për stafin. Sokol Balla regjistroi spotin e tij të parë promocional për Report TV, duke përshëndetur me “ja ku jemi prapë!” një mesazh që qartësisht i referohet kthimit të tij pas ndërprerjes nga eksperienca e mëparshme televizive.

Programi i Sokol Ballës do të titullohet “Real Story” dhe do të jetë në transmetim çdo të enjte në orën 21.00. Në ditën e parë kete jave do të jetë i ftuar kryeministri Edi Rama që do të intervistohet me një “ballë përballë” të stilit “hard talk” dhe më pas do t’u përgjigjet pyetjeve të analistëve të ftuar në studio. 


“Pas një karriere të gjatë profesionale në disa nga televizionet më të rëndësishme të vendit, – thotë Carlo Bollino, gazetar dhe drejtues e pronar i Report TV, – konsideroj ardhjen e Sokol Ballës në Report TV si një kthim në shtëpi, aty ku gjithçka nisi”. Pikërisht me Carlo Bollinon, në të largëtin 1994, Sokol Balla nisi punën e tij si gazetar. “Real Story zë vend në mënyrë perfekte në programacionin e Report TV që për shkak të natyrës së tij si televizion informativ, i kushton hapësirë të veçantë thellimeve të politikës dhe të aktualitetit – thotë Bollino, – për shkak të punimeve dhe transferimit në selinë e re këtë fillim sezoni kemi pasur një vonesë në kalimin on air të shumë programeve, por tashmë mund të them se jemi gati për të filluar me fuqinë maksimale”.

Promo e emisionit zbulon disa detaje të skenografisë moderne, ideuar nga skenografi italian Carlo Cane’ që ka realizuar dhe skenografitë e shumë programeve informative  të famshme tek RAI italiane. 

Pas Real Story këtë javë që të hënën e ardhshme do të kthehen në transmetim në Report TV “5 pyetjet nga Babaramo”, “Repolitix” nga Denis Minga, “Pa Protokoll” nga Anduela Ndreu. Konfirmohet dhe kthimi i emisionit shumë të ndjekur “Pa gjurmë” të Odeta Dumes, ndërsa kanë nisur tashmë transmetimin emisionet e tjera si “Shtypi i ditës dhe ju” me Andi Kapxhiun, “Rreze Dielli” me Nikin dhe Albanën, “Sot Shqipëria Live” me Migena Sotiri dhe Nertil Agalliun. Kanë nisur edhe një pjesë e emisioneve të pasdites  si “Studio Live” me Arbër Hitajn dhe “Kontrast” me Lorenc Vangjelin dhe Denis Mingën. 

Mes të rejave të sezonit është veçanërisht i pritur dhe program i ri “Esencë” drejtuar nga Anila Çela, e cila për tri pasdite në javë do të sjellë histori të kujtesës shqiptare, dëshmi emocionuese të së shkuarës dhe të së tashmes nga personazhe të njohur dhe jo vetëm. 

Janë të konfirmuar në programacion edhe e mirënjohura “Dosja K” nga Admirina Peçi, kushtuar historisë së shqiptarëve dhe persekutimit në kohën e diktaturës, “Veri Jug” me natyrën dhe bukurinë e pamatë të Shqipërisë nga Agim Pipa dhe shumë ide të tjera që janë në realizim. Stay tune!




Skip to toolbar