“Jemi pranë popullit turk”, politikanët shqiptarë shprehin ngushëllimet

AKTUALITET


Politikanët shqiptarë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjet e jetëve që shkaktoi tërmeti i mbrëmjes së të premtes në Turqinë Lindore. Përmes mesazheve në rrjetet sociale politikanët shqiptarë kanë shprehur trishtimin për fatkeqësinë që goditi Turqinë.

Presidenti Ilir Meta në mesazhin e tij shkruan se lutet që mos të ketë më jetë të humbura dhe uron shërim të shpejt personave të lënduar.


“Me shqetësim dhe dhimbje të thellë po ndjek situatën në Turqinë mike, të goditur nga tërmeti tragjik. Shumë i tronditur nga viktimat në njerëz, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre, të gjithë popullit turk dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke u lutur që të mos ketë të tjera humbje jetësh. Të gjithë të lënduarve nga kjo fatkeqësi natyrore ju uroj shërim sa më të shpejtë. Në këto momente tepër të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi në krah Turqisë mike!”, shkruan Meta në Facebook.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, shprehu ngushëllimet më të thella për viktimat e tërmetit në Turqi, i cili ka shkaktuar, deri tani, mbi 20 viktima dhe ka shkatërruar shumë banesa.  Në një postim në Tëitter, Basha shprehet: “Ngushëllimet e mia më të thella për popullin turk dhe Presidentin Erdogan për viktimat e tërmetit. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave. U urojmë shërim të shpejtë të plagosurve dhe shprehim solidaritetin me popullin e Turqisë”- shkruan kreu i opozitës.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë pas tërmetit duke shkruar në Twitter, se në këtë moment të vështirë Shqipëria i qëndron në krah popullit turk.

 “Shumë e trishtueshme fatkeqësia që ra mbi Turqinë mike prej një tërmeti të rëndë, ku janë shënuar edhe jetë të humbura! I jemi pranë popullit turk dhe lutemi që Zoti t’u japë autoriteteve të vendit dhe Presidentit Erdogan të gjithë forcën për ta përballuar këtë tragjedi”, shkruan Rama.

Edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit tragjik në të rënë në Turqi ku la pas disa viktima. Xhaçka kujton solidaritetin dhe ndihmën e popullit turk kur Shqipëria po kalonte të njëjtën situatë tragjedie ndërsa për situatën e ka cilësuar si të tmerrshme.

“Me mendje e me zemër pranë popullit turk në këto momente tragjedie. Ndajmë me miqtë tanë dhimbjen e çdo shqiptari që nuk mund të harrojë solidaritetin e ndihmën e pakursyer që populli turk na dha në të njëjtën situatë tragjedie. Lutem për sa më pak viktima e të lënduar, nga kjo ngjarje e tmerrshme”, shkruan ministrja Xhaçka.

Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Gent Cakaj shkruan se është thellësisht i shqetësuar për tërmetin që la pas shumë viktima në Turqinë lindore. Cakaj ka shkruar se në këto momente të vështira Shqipëria qëndron pranë Turqisë.

“I shqetësuar thellësisht për tërmetin e fundit në Turqi. Në këto momente të vështira ne jemi afër vëllezërve tanë turq të prekur nga tërmeti. Mendimet dhe lutjet tona janë për Turqinë. Lutemi për Turqi” shkruan Cakaj në një reagim në rrjetet sociale.

Tërmeti në Turqi ka sjellë dhe reagimin e autoriteteve kosovare, ku të parët që kanë shprehur solidaritetin janë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri në detyrë Behgjet Pacolli.

Shteti turk ishte ndër të parët që iu gjend pranë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit duke dërguar ekipe shpëtimi dhe ndihma në çadra dhe mjete të tjera, ndërsa qeveria turke ka vendosur të ndërtojë 500 banesa të reja për njerëzit e prekur nga tërmeti dhe që mbetën pa shtëpi.




Skip to toolbar