Kadastra hap 74 vende pune, Lame, deputetëve: Mos ndërhyni për qoka

AKTUALITET


Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka njoftuar të mërkurën hapjen e 74 vendeve të lira të punës në këtë Agjenci ndërsa u ka drejtuar një apel deputetëve, ministrave dhe të gjithë miqve të tij duke përfshirë gruan dhe prindërit, që të mos i kërkojnë qoka për punësime.

“Ju lutem të gjithë miqve, të njohurve, të afërmve përfshirë gruan dhe prindërit e mi, kushërinjve, deputetëve e ish-deputetëve, ministrave e ish-ministrave, të majtë e të djathtë e të qendrës, ju lutem mos më ndërhyni për punësime. Shteti shqiptar, kadastra shqiptare dhe unë duam profesionistë, jo miq.


Në Kadastër ka me qindra profesionistë kokëulur, ka me dhjetëra shefa e drejtorë që janë bërë të tillë pa futur mik, por thjesht me forcat, krahët dhe mendjen e tyre.

Të gjithë kërkojmë të zgjidhim nyje e pronës dhe nyja e pronës zgjidhet vetëm me profesionalizëm; dhe pastaj, të njëjtët njerëz që ankohen për çfarë kanë hequr, më kërkojnë me aman e me derman të fus në punë njërin a tjetrin jashtë profilit.

O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot! Së bashku po e nisim edhe këtë reformë dhe vetëm së bashku mund ta çojmë atë përpara”, është shprehur Lame.

Përsa i përket vendeve të lira të punës, ai ka njoftuar se më së shumti kërkohen inxhinierë, urbanistë, topografë etj.

Lame ka thënë se sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy: E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi. E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë.

“Pra sot unë po lajmëroj hapien e garës për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e AKSH me profesione: Inxhinier ndërtimi; Arkitekturë; Urbanistikë; Gjeoinformatikë; Gjeodezi; Topografi.

Saktësoj, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë.

Në veçanti, dua t’i bëj një thirrje dy kategorive. Në radhë të parë, djemve e vajzave që kanë vullnet për punë, të vijnë dhe të konkurrojnë dhe të kenë besim tek unë dhe tek forcat e tyre”, tha Lame.




Skip to toolbar