KAS rrëzon Celibashin, PD do të regjistrohet në zgjedhje me kryetar Enkelejd Alibeajn

Më të fundit


Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të regjistrojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.

Pas një seance rreth 60 minutash, KAS vendosi të rrëzojë vendimin e Ilirjan Celibashit.


Me 4 vota pro dhe vetëm një kundër, atë të Elvis Cefës, KAS ka pranuar që PD të regjistrohet në zgjedhje me specifikimin që dokumentet të firmosen sërish nga Enkelejd Alibeaj, i cili të cilësohet jo si nënkryetar, por si kryetar i komanduar, apo si kryetar që po ushtron detyrën.

Bashkë me vendimin e Celibashit për të mos regjistruar PD në zgjedhje, KAS rrëzoi sot edhe kërkesën e Sali Berishës, që pretendonte se mund të merrte të drejtën të regjistronte PD në emër të tij.

Kështu PD, mund të regjistrohet në zgjedhje me kryetar në fletën e votimit Enkelejd Alibeja. KAS ka pranuar të njohë kështu diferencën mes aktit publik të dorëheqjes së Bashës dhe faktit që ai për procedurë është kryetar në dokumente, duke detyruar Celibashin të pranojë regjistrimin e PD në emër të Alibeajt.

“Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: 

Deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar;

Deklaratën e angazhimit solmen të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë;

Detyrimin e komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij”, thuhet në vendimin e lexuar nga relatori i çështjet, Koli Bele.




Skip to toolbar