Në Gjykatën e Posaçme vijon procesi i dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Erjon Alibej për dosjen “Plumbi i artë”, pasi ka përfunduar më parë dëshminë edhe i penduari tjetër, Nuredin Dumani.
Në seancën e javës së shkuar, Alibej tregoi mbi “Masakrën e Bradasheshit”, e cila ndodhi në 2018, ku i ekzekutuan në atentat vëllain Endrit Alibej, xhaxhain dhe një mik të tyre turk.
Këtë të martë, Alibej ka treguar mbi përpjekjet që ka bërë për të rënë në gjurmët e të dyshuarve për vrasjen e vëllait të tij.
Ai tregoi se si është lidhur me vëllain e Nuredin Dumanit, Dashnorin, që sipas tij ky i fundit ishte njeriu me i afërt i ekzekutorëve të familjes së tij. Në seancë, Alibej madje tregoi edhe një bisedë, e cila bëhej për ekzekutimin e tij gjatë bisedave në Sky ECC.
Bashkëpunëtori i drejtësisë tha se pagesa për “kokën” e tij premtohej deri në dy milionë euro.
“Pas vrasjes se vëllezërve Haxhia, Nuredini erdhi në shtëpinë time dhe në atë kohë ka qenë kohë Covidi. Doja të lidhja një kontakt me vëllain e Nuredinit, Dashnor Dumanin që ishte njeriu me i afërt i ekzekutorëve të familjes time. Dashnori jetonte në gjermani në atë kohe dhe i çova një tel sky nëpërmjet një të njohurit tim. Me anë te Eljo Bitrit lidhim kontakt me Mikael Qosen dhe isha i pranishëm tek çdo bisedë. Mikael qosja i thotë një moment Nuredin Dumanit: ke 2 milionë euro për të vrarë Krymin( pseodonimi i Erjon Alibejt). Dumani i tha Mikeal Qoses, që të vras Erjon Alibejn dua të më japësh Talo Çelen. Por edhe ata ishin në dijeni që Dumani kishte filluar të bashkëpunonte me mua për vrasje pasi informator kishin Eljo Bitrin. Dua të sqaroj që Eljo Bitri ka luajtur më të gjithë, ka dërguar informacion tek Çapet, tek Çelat, luante me të gjithë për interesa”, tha ai.