“Kemi paga të larta”, deputeti i opozitës së re kërkon ndryshime

AKTUALITET


Deputeti i opozitës së re Erion Piciri njofton se shumë shpejt do të depozitojë në Kuvend nismën ligjore për të ndryshuar ligjin për statusin e deputetit duke i cilësuar të tepërta privilegjet e deputetëve por edhe rrogën 5-fish më të lartë se mesatarja e pagave të qytetarëve shqiptarë. Ai e cilëson absurde diferencën e madhe të pagave të deputetëve krahasuar me atë të shqiptarëve dhe propozon uljen me 30% të saj.

“Në vendin ku rroga mesatare është 526 mijë lekë të vjetra, rroga bazë e një deputeti nuk mund të jetë sa trefishi i saj, 1 milion e 567 mijë. Nëse i shtohen pagesat ekstra për komisionet, karburantin, telefonit, dietave e të tjera benefite, ajo shkon sa afro pesë fishi i rrogës mesatare. Ky është një absurditet i shkëputur shumë nga paga mesatare e shqiptarit dhe pagat e tjera në sektorin publik. Nuk mund t’i jepet deputetit (jo në pak raste me formim të munguar), një pagë më e lartë se e një profesori universitar apo kirurgu. Rroga bazë e deputetit nuk duhet të kalojë dyfishin e pagës mesatare kombëtare dhe së bashku me të gjitha pagesat ekstra nuk duhet ta kalojë trefishin. Kësaj i thonë përgjegjshmëri dhe ndjeshmëri ndaj kontekstit social-ekonomik të vendit. Pothuajse të gjithë vendet europiane e kanë rrogën e parlamentarit pak më të lartë ose sa dyfishi i rrogës mesatare, ndërkohë që iniciativa për uljen e saj edhe nga vetë deputetët ka pasur në Poloni, Itali, Spanjë e vende te tjera. Kur paga mesatare mujore e mjekëve 820 mijë lekë të vjetra (profesionistë që na i kërkon bota), ne nuk mund t’i japim trefishin një deputeti që dobinë ia sheh kryesisht prijësi e partia, më pak shoqëria”, shkruan deputeti Piciri.


Sipas tij deputeti duhet të jetojë me vështirësitë që kalon vendi dhe me të cilat jetojnë dhe përballen çdo ditë shqiptarët, ndaj dhe ai nuk duhet të ketë privilegje të shumta. Madje sipas Picirit kjo nismë do të ishte një hap pozitiv i kthimit të besimit të qytetarëve te politika.

“Në emër të shumë qytetarëve shqiptarë, si reflektim i interesit të tyre, në dobi të parlamentarizmit do depozitoj së shpejti një modifikim ligjor për statusin e deputetit me këto objektiva:

– Uljen me 30% të rrogës së deputetëve.

– Tërheqjen e pagesës 470 mijë lekë të vjetra të karburantit dhe telefonit.

– Tërheqjen e mundësisë për strehim dhe kredi me lehtësira apo për të futur mallra pa doganë.

– Tërheqjen e gjysmës së rrogës deri në tre vjet mbas mbarimit të mandatit dhe të pensionit suplementar.

– Tërheqjen e mundësisë për kurim jashtë kur këtë nuk e gëzojnë as fëmijët e sëmurë rëndë të vendit.

Deputeti duhet të jetojë me vështirësitë e vendit, të punojë në funksion të zhvillimit, të jetë i idealit dhe sakrificës, jo në rendje të përfitimeve të pushtetit. Lënia vullnetare e përfitimeve është një hap për rikthimin e besimit tek politika, si një imperativ për rikthimin e besimit tek Shqipëria, e frenimit të emigrimit dhe kthesës drejt ndryshimit që presim. Besoj se kjo nismë ligjore do gjejë mbështetje të gjerë përtej ndasive politike. Ka ende në parlament e politikë njerëz me mendje të hapur. Një kursim vjetor prej disa milion dollarësh është i mirëpritur nga shoqëria”, shkruan ai.




Skip to toolbar