Këshilli i Europës vlerëson Kuvendin: Ka plotësuar rekomandimet për parandalimin e korrupsionit

Më të fundit


Më datë 24 shtator 2020, në seancën plenare të 85-të të GRECO-s, (organizmi i Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit) u diskutua dhe miratua Shtesa e Raportit të Dytë të Përputhshmërisë, në kuadër të raundit të IV-t, të vlerësimit për Shqipërinë me objekt “Parandalimi i korrupsionit në lidhje me anëtarët e Parlamentit, gjyqtarët dhe prokurorët”.


Sipas këtij raporti, GRECO, pas 4 vjet monitorimi, arriti në përfundimin se Shqipëria ka zbatuar në mënyrë të kënaqshme ose ka trajtuar në mënyrë të kënaqshme 9 nga 10 rekomandimet e përfshira në Raportin e Raportit të Dytë të Përpushmërisë për Raundin e Katërt. Më konkretisht, rekomandimet i, ii, iii, iv, v, vii, viii, ix dhe x janë zbatuar në mënyrë të kënaqshme ose janë trajtuar në mënyrë të kënaqshme, dhe rekomandimi vi mbetet pjesërisht i implementuar.

Kuvendi gjatë kësaj kohe ka punuar për të adresuar dy rekomandimet (ii dhe iii), të cilat lidheshin me parandalimin e korrupsionit për deputetët. GRECO ka mirëpritur masat e marra për miratimin e Kodit të Sjelles për deputetët dhe Udhëzimin për zbatimin e tij. Gjithashtu, në këtë drejtim, janë marrë masat e duhura të ndërgjegjësimit dhe janë kryer trajnime për deputetët. GRECO ka mirëpritur ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit si dhe ka mirëpritur ngritjen e sistemit për ofrimin e këshillimit për parlamentarët lidhur me çështjet e etikës. Gjithashtu GRECO ka mirëpritur masat e zbatuara nga  Kuvendi, të cilat sigurojnë zbatimin e duhur të Kodit të Sjelljes dhe kanë rezultuar në një sistem raportimesh, rast pas rasti të konfliktit të interesit. Deklaratat në rastet e konflikteve të interesit, bëhen publike si brenda Kuvendit ashtu edhe për publikun përmes faqes zyrtare të Kuvendit në internet. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të cilat sqarojnë dhe forcojnë mekanizmat e zbatimit dhe ndëshkimit në rast të shkeljes së detyrimeve dhe procedurës së përcaktuar në lidhje me deklarimin rast pas rasti të konfliktit të interesit, janë mirëpritur nga GRECO.

Për rekomandimet vii, viii, dhe ix, lidhur me parandalimin e korrupsionit për gjyqtarët dhe prokurorët,  GRECO ka nënvizuar zhvillimet e reja në sistemin gjyqësor si rezultat i zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë funksionimin efektiv të Këshillit të Lartë Gjyqësor si organi kryesor përgjegjës për avancimin e standardeve etike në sistemin gjyqësor. GRECO ka mirëpritur edhe rolin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë,  në vlerësimin e cilësive etike të prokurorit, duke siguruar që kriteret janë objektive dhe transparente.

Gjithashtu GRECO mirëpriti ngritjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si institucion përgjegjës për shqyrtimin e ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe proçedimin e tyre në raste shkeljesh të provuara. U vlerësua edhe emërimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Me miratimin e këtij raporti, GRECO e konsideron të mbyllur këtë raund vlerësimi për Shqipërinë.