Kolegji pranon ‘të pabindurit’ e Berishës/ Shqyrton kërkesat për rinumërim nga dy kandidatë dhe Balli Kombëtar

Më të fundit


Kolegji Zgjedhor ka pranuar ankesat e para individuale të kandidatëve apo partive të koalicionit të Berishës për të shqyrtuar kërkesat për rinumërim votash.

I pari, Ilir Alimehmeti që kërkon rinumërim votash për Tiranën. Doktori i ri doli kundër doktorit të vjetër, Berishës, dhe tani vendimin do e ketë Kolegji Zgjedhor, pasi Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve e rrëzoi me votat e anëtarëve demokratë.

Seanca e parë gjyqësore do të mbahet paraditen e 12 qershorit në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. Po ashtu, të njëjtën rrugë ka zgjedhor edhe kandidati i listës së hapur në Kukës, Shkëlqim Shehu. Mandatin e dytë, ai e humbi për pak vota të diasporës ndaj Isuf Çelës, ky i fundit një ndër deputetët më besnikë të Berishës.

Shehu kërkon po ashtu rinumërim votash në qarkun e fituar nga demokratët, duke dalë kundër kryedemokratit, që ankesat i pranon të kalojnë vetëm nga zyra e tij.

Por, edhe një tjetër parti aleate ka dalë kundër Berishës. Ashtu si Partia Lëvizja e Legalitetit, edhe Partia e Ballit Kombëtar Demokrat kërkon rinumërim votash në Durrës.

Përveç zogistëve, edhe ballistët nuhasin tradhëti nga Berisha.

Tashmë, vendimi u përket gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, mes kandidatëve të Partisë Demokratike që akuzojnë Berishën se u vodhi votat preferenciale, dhe vetë doktorit që mes dy standardeve, në fillim i mbështeti më pas i lëshoi.



Skip to toolbar