Komisioni Evropian pezullon ndihmën për palestinezët

BOTA


Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, Komisioni Evropian njoftoi të hënën se po pezullonte menjëherë të gjitha fondet për palestinezët dhe se do të rishikonte të gjithë ndihmën për zhvillim, rreth 691 milionë euro të caktuara për ta.

Gjermania dhe Austria thanë të hënën se po e pezullonin ndihmën dypalëshe për zhvillim për palestinezët, ndërkohë që vendet e tjera, si Italia, thanë se nuk po diskutohet aktualisht për një gjë të tillë.

Evropa është ndër burimet kryesore të ndihmës në territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli, ku Kombet e Bashkuara llogarisin se rreth 2.1 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare, në mesin e të cilëve 1 milion fëmijë. Është e paqartë nëse pezullimi i ndihmës për zhvillim përfshin edhe këtë lloj ndihme.

“Shkalla e terrorit dhe brutalitetit ndaj Izraelit dhe njerëzve të tij është një pikë kthese”, shkroi në rrjete sociale Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi. “Nuk mund të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë”.

Militantët e Hamasit vranë qindra izraelitë dhe rrëmbyen dhjetëra prej tyre në sulmin më fatal që nga lufta e Yom Kippurit para 50 vitesh, duke e nxitur Izraelin të hakmerret nëpërmjet bombardimeve më të ashpra ndaj Gazës, që kanë lënë mbi 400 njerëz të vdekur.

Zoti Varhelyi tha se propozimet e reja buxhetore për ndihmë palestinezëve po ashtu janë shtyrë për një afat të pacaktuar kohor. “Tani duhet të shohim themelet e paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës”, tha ai.

“Nxitja e urrejtjes, dhunës dhe glorifikimi i terrorit u ka helmuar mendjet shumë njerëzve”, shtoi ai. “Na duhet të veprojmë dhe duhet ta bëjmë tani”.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mbajnë një takim urgjent të martën për të diskutuar situatën, përfshirë edhe rishikimin e disa aspekteve të ndihmës për zhvillimin, thanë të hënën zyrtarët. Ndihma në total e BE-së për palestinezët në buxhetin e vitit 2022 ishte 296 milionë euro.

As Komisioni Evropian, e as Gjermania apo Austria nuk bëjnë dallim mes Gazës, enklavës palestineze të sunduar nga Hamasi, dhe Bregut Perëndimor të udhëhequr nga Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi dhe që udhëhiqet nga Presidenti Mahmoud Abass, kreu i lëvizjes Fatah që është rivale e Hamasit.

“Shenjë solidariteti”

Ministri i jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg tha se shteti i tij po pezullonte ndihmën për disa projekte zhvillimi me vlerë prej 19 milionë eurosh.

Qeveria konservatore e Austrisë, e cila mban status neutral, viteve të fundit ka adoptuar një nga qëndrimet më pro-Izraelit në Bashkimin Evropian. Flamuri i Izraelit është vendosur në zyrën e kryeministrit dhe në ministrinë e jashtme pas sulmit të Hamasit.

Në Gjermani, Ministrja e Zhvillimit Svenja Schulze, nga radhët e social-demokratëve, tha se nuk po lëvronin fonde për projekte dypalëshe të ndihmës ndërkohë që Berlini po rishqyrton angazhimin me territoret palestineze.

“Kjo është edhe një shprehje e solidaritetit tonë të pathyeshëm me Izraelin”, deklaroi ajo në konferencë shtypi. “Jemi në kontakt me partnerët tanë dhe po i rishikojmë të gjitha gjërat”.

Ministria gjermane e Zhvillimit ka ndarë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm 250 milionë euro fonde për projekte dypalëshe zhvillimi në territoret palestineze. Nuk u njoftua se çfarë fondesh ishin shpërndarë këtë vit.

Gjatë ditëve të fundit, politikanët gjermanë kanë nënvizuar detyrimin e veçantë që vendi i tyre ka ndaj Izraelit dhe sigurisë së tij, duke pasur parasysh përgjegjësinë historike për Holokaustin. Porta e Brandenburgut, njëra nga simbolet kryesore të Berlinit, u mbulua me flamurin izraelit të shtunën mbrëma.

Megjithatë, disa politikanë kanë reaguar kundër vendimit për të pezulluar ndihmën, duke thënë se Hamasi, dhe jo të gjithë palestinezët, janë përgjegjës për sulmin.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, që udhëhiqet nga zyrtarë të Partisë së Gjelbërt, tha se do të vazhdonte të shpërndante fondet prej 73 milionë eurosh të caktuara për palestinezët – që janë fonde të veçanta nga ato të ministrisë së zhvillimit, dhe pjesa më e madhe e të cilave tashmë është shpenzuar.

Sipas një zyrtari të qeverisë, Gjermania është e detyruar t’i shpërndajë këto fonde, pasi ato janë premtuar paraprakisht nëpërmjet organizatave humanitare dhe OKB-së.

I pyetur nëse Italia do të ndjekë shembullin e Gjermanisë dhe Austrisë për të pezulluar ndihmën për zhvillimin, një zëdhënësi i ministrisë së jashtme italiane tha se një gjë e tillë nuk po diskutohej.

Një zëdhënës i Kryeministrit britanik Rishi Sunak, i pyetur nëse Britania do të vepronte si Austria dhe Gjermania, tha se Britania në të kaluarën u kishte dhënë ndihmë refugjatëve palestinezë nëpërmjet Kombeve të Bashkuara dhe se nuk ishte në dijeni për ndonjë plan për ta ndryshuar përqasjen./VOA



Skip to toolbar