Komiteti i Ekspertëve: Ja qytetet ku është konfirmuar varianti Delta

AKTUALITET


Komitet Teknik i Ekspertëve doli këtë mesditë në një konferencë urgjente, pas mbërritjes së variantit Delta të koronavirusit në Shqipëri.

“Ka ardhur përgjigjja nga Berlini për variantin Delta. Dua t’iu sjell në vëmendje situatën epidemiologjike në vend, që ka shënuar disa rritje në raport me incidencën, që është 10 për 100 mijë banorë, mesatarja ditore është rritur, numri total i rasteve rezulton i rritur, numri i bashkive që janë përfshirë nga rastet e reja ka shkuar në 10. Në Infektiv janë të shtruar 9 pacientë, fatmirësisht nuk kemi pasur raste fatalitetesh. Vijojnë të shtohen numrat e personave të vaksinuar me dy dozat e vaksinës.


Sa i përket variantit Delta, dyshimi ynë i arsyeshëm është konfirmuar tashmë. Dërguam 21 mostra kimike, që kanë rezultuar pozitivë. Këto mostra i kemi vënë mënjan për periudhën 1 qershor-12 korrik, kur filluam të shohim sinjalet e pazakonta. E rëndësishme është që këto mostra i kemi gjetur në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora. E gjithë kjo përpjekje ka një vlerë të veçantë, që është vaksinimi i shoqëruar me masat që janë në fuqi dhe që duhen zbatuar nga qytetarët.

Qarkullimi i këtij varianti tregon se ne nuk e kemi përfunduar situatën, ndaj duhet që personat që kanë simptoma, të karantinohen. Të gjithë ata raste që kanë nevojë për ndihmë të shpejtë mjekësore, të telefonojnë në numrin e urgjencës 127”, tha Albana Fico.

Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi mbërritjen e variantit Delta në vendin tonë, ndërsa ministrja Ogerta Manastirliu iu bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen.




Skip to toolbar