“Tërmeti apokaliptik” i parashikuar nga Meta, lëkundjet në Korçë shkaktojnë panik te banorët

AKTUALITET


Qyteti i Korçës është tronditur sërish nga tërmeti, duke shkaktuar panik te banorët. Tërmeti me magnitudë 4.7 ballë ka tronditur Korçën, zonat përreth saj madje është ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut. Epiqendra e tërmetit ka qenë 9 km në jugperëndim të Korçës.

Tërmeti është shoqëruar edhe me një lëkundje tjetër 3.4 ballë me epiqendër 13 km nga Korça, afër Bilishtit.


Banorët kanë dalë të alarmuar nga shtëpitë, ndërsa nuk raportohet ende për dëme materiale.

Lëkundjet e reja të tokës vijnë pak javë pas tërmeteve shkatërruese në Korçë që dëmtuan 290 banesë, ndërsa 124 i shkatërroi tërësisht. Dëmet më të mëdha u paraqitën fshatin Floq, Qafzezë dhe Vidohovë.

Megjithëse tërmeti nuk ka shkaktuar viktima dhe dëme materiale, banorët kanë dalë të frikësuar nga shtëpitë e tyre, duke marrë shkas edhe nga deklaratat e dëgjuara gjatë dy ditëve të fundit në lidhje me ‘tërmetet apokaliptike” që presidenti Meta cilësoi me letrën e tij drejtuar disa institucioneve për të marrë masa parandaluese. Sigurisht që tërmeti nuk ka qenë i përmasave apokaliptike, por këto deklarata kanë mjaftuar për të trembur edhe më shumë qytetarët e Korçës. Madje, ministrja Xhaçka deklaroi të mërkurën se tërmetet nuk mund të parashikohen, duke i kthyer përgjigje kreut të shtetit për shqetësimin e tij.

Por, pas tërmetit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Edmond Panaritit, ish-ministër i Bujqësisë nga radhët e LSI-së, duke thënë se apeli i Presidentit Meta duhej marrë me seriozitet.

 “Sapo ra tërmet i fortë në Korçë..! Merreni seriozisht apelin e presidentit dhe sidomos shiheni mirë hartën poshtë, ajo është e 2019, reale dhe kërcënuese. Filloni lëvizni, sa nuk është vonë”, shkruan Panariti, duke përhapur panik edhe më të madh te banorët e Korçës.




Skip to toolbar