Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për hekurudha e autostrada

AKTUALITET


Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Nënshkrimi i letrave të interesit ndodhi pak para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.


Këto marrëveshje, u arritën me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç si dhe ambasadori Richard Grenell.

Për palën kosovare marrëveshjet i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.

Ambasadori Grenell tha se pas negociatave dhe marrëveshjes për linjën ajrore, tani u arrit të negociohet edhe çështja e transportit hekurudhor dhe rrugor.

“Ajo që kemi bërë sot, është që kemi negociuar për të gjetur mënyrën që të hapim linjën hekurudhore dhe autostradat. Ne kemi negociuar për hapjen e linjës ajrore për fluturime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit – dhe tani kemi edhe dy marrëveshje të tjera”, tha Grenell.

“Tani kemi dy marrëveshje më shumë dhe ajo që unë kam biseduar me të dy presidentët është që të përqendrohemi sa më shumë në zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori amerikan. Sipas tij, edhe presidentët Thaçi e Vuçiç, ishin pajtuar se fokusi i bisedimeve duhet të jetë në çështjet e zhvillimit ekonomik.

Ai tha se kur e kishte marrë misionin nga Presidenti Donald Trump për ndërmjetësim në dialogun Kosovë-Serbi, ishte frymëzuar pikërisht nga zhvillimi i fuqishëm ekonomik që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj edhe në këtë aspekt ai e ka përqendruar agjendën e tij që përmes ekonomisë, hapjes së vendeve të punës dhe investimeve, të arrihen gjëra të mëdha në mes të dy vendeve, por edhe rajonit.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes rrjetit social Facebook ka shpërndarë lajmin për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kjo marrëveshje paraqet edhe një hap tjetër të arritjeve të Kosovës në planin e zhvillimit ekonomik. Ai ka falënderuar administratën e presidentit Trump për angazhimet në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve.

“Ambasador Grenell, të falënderoj për punën e shkëlqyer për këtë marrëveshje. Është një hap tjetër i arritur i progresit pas marrëveshjes së linjave ajrore Prishtinë-Beograd. Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, pra ajo çka ju duhet njerëzve tonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi.

“Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti po punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tonë”, theksoi presidenti i Kosovës




Skip to toolbar