KQZ 48 orë Bashës të ‘zgjohet’

Më të fundit


 KQZ shtyn regjistrimin e PD duke i lënë 48 orë afat për plotësimin e dokumentacionit.

Për KQZ të drejtën për të regjistruar PD, bazuar në dokumente zyrtare e ka z. Basha, por dokumentacioni i dorëzuar nuk është i plotë. Celibashi vlerësoi se autorizimit të dorëzuar nga Indrit Sefa i mungon qartësia.


“Cdo kompetencë tjetër mund të delegohet te të tretë. Deklarata e kryetarit të partisë është përgjegjësi dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet.Kompetenca mund të delegohet, përgjegjësia nuk mund të delegohet, ndaj duke e konkluduar këtë arsyetim, vlerësoj që dokumentacioni i paraqitur nga përfaqësuesi i PD, z.Basha nuk është i plotë ndaj do ju jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara. ” u shpreh Celibashi.

Arsyetimi i kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi për PD:

“Biem dakord se nuk e përcakton KQZ kush është drejtues i një partie. Dhe duhet ta marrë këtë informacion nga një pale e tretë. Ligji e përcakton qartë, se cili është ky organ, kjo është gjykata. Është gjykata dhe një dokument që vjen nga gjykata se kush është drejtues i një partie.

Është gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, që mban regjistrin e Partive Politike. Për ligjin dhe institucionet ajo cfarë merret në referencë është dokumenti zyrtar. Do ishte e dëmshme nëse KQZ do merrte vendim bazuar mbi perceptime. Unë mund të pranoj që në perceptimin tim Berisha është kryetar i PD, por kjo nuk ndryshon asgjë në përputhje me ligjin. Por jemi të detyruar të marrim në konsideratë cfarë pasqyron dokumenti zyrtar. Në vlerësimin që i kemi bërë dokumenteve të autorizimeve, të dhënë nga Basha për z. Sefa dhe për të tjerë, dhe në vlerësim të të gjithë dokumente e dorezuara, unë vlerësoj se ky dokumacion nuk është në  përputhje të plotë me parashikimet e kodit Zgjedhor, kjo është e qartë për ju z. Sefa dhe për ju të tjerët.

Sipas vlerësimit tim, duhet që akti autorizues të jetë i qartë, por kush e lëshon autorizimin të jetë e qartë, edhe përmbajtja që kryen i autorizuari të jetë e qartë. Sipas dokumentit kjo qartësi nuk është e plotë. Ju jeni autorizuar të kryeni regjistrimin. Që të jetë e plotë dhe e qartë, do të thotë se nuk ka vend për një veprim të dytë.  Autorizimi s’është i qartë. Duhet të shënohet se autorizimi vlen për zgjedhjet e datës 14 maj, jo thjesht zgjedhjet e vitit 2023. Ka edhe një mangësi që lidhet me detyrimin personal të kryetarit të PD për të nënshkruar deklaratën. Basha personalisht duhet të nënshkruante deklaratën e moskryerjes së krimeve zgjedhore. Cdo kompetencë tjetër mund të delegohet te të tretë. Deklarata e kryetarit të partisë është përgjegjësi dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet, ndaj duke e konkluduar këtë arsyetim, vlerësoj që dokumentacioni i paraqitur nga përfaqësuesi i PD, z.Basha nuk është i plotë ndaj do ju jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara”.




Skip to toolbar