KQZ vendos sot për 13 tetorin e Metës

AKTUALITET


Komisioni Qëndror Zgjedhor ka njoftuar se do të mblidhet të shtunën në orën 10 për të shqyrtuar kërkesën e partive të vogla të djathta për nisjen e procedurave për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor, datë e dekretuar nga presidenti Ilir Meta.

Të premten tre aleatët e Partisë Demokratike, LSI, PAA dhe PR, i kanë dërguar zyrtarisht një kërkesë KQZ përmes të cilës kërkojnë që të shqyrtohet dekreti i presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Kërkesa është firmosur nga Fatmir Mediu, Agron Duka dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, duke treguar kështu qëndrimin kundër që këto forca politike kanë me kreun e PD, Lulzim Basha i cili ka deklaruar se nuk hyn në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe është tërhequr nga data 13 tetor.


Ndërsa aleatët e PD kanë deklaruar se janë pro hyrjes në zgjedhje më 13 tetor, megjithëse kjo datë nuk është marrë në konsideratë nga mazhoranca, për të cilën zgjedhjet janë zhvilluar në 30 qershor, ndërsa dekreti për 13 tetorin është anti kushtetues.

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ka deklaruar se me datë 13 tetor nuk ka zgjedhje dhe se për këtë institucion është zyrtarisht ditë pushimi. Skënderi ka deklaruar se nëse 13 tetori do të ishte një datë normale zgjedhjesh, puna duhet të kishte gjashtë muaj më parë, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi 30 qershori është “kapitull” i mbyllur për KQZ-në, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara, afat i cili mbaron më 4 gusht.

Kolegji Zgjedhor është shprehur për dekretin e parë të presidentit, atë për anulimin e 30 qershorit duke e cilësuar atë nul për shkak se vendimi është marrë përtej afateve kushtetuese dhe përtej kompetencave që kushtetuta i njeh presidentit, argumente këto që vlejnë njëlloj edhe për dekretin e datës 13 tetor.




Skip to toolbar