Delegacioni i BE në Shqipëri shprehet se do të ndjekë nga afër procesin për kreun e ri të SPAK. Ambasadori i BE-së Gonzato u takua me Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, ku vuri theksin në një sistem drejtësie të besueshëm dhe të pavarur.
“Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian” shkruan Gonzato në një postim në facebook ndërsa shton se delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet.
“KLP ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë. Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së”- thuhet më tej në postim.
