“Kriminel, turp të të vijë!”, familjarët e viktimave të ‘Gërdecit’ përplasen me Mediun në gjykatë

AKTUALITET


Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të urdhërojë kryerjen e një akt ekspertimi të ri ekonomiko-financiar për ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Përmes avokatëve të tij Mediu pretendoi se akt-ekspertimi i paraqitur si provë nga SPAK ka probleme në formë dhe në përmbajtje. Sipas avokatëve, vendimi për akt-ekspertimin nuk i është bërë me dije Mediut gjatë hetimit paraprak dhe ekspertët janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme, në kushte të papajtueshmërisë ligjore.

Po sipas mbrojtësve, 4 nga 5 ekspertët kanë qenë nëpunës shtetërorë dhe pa licensimet përkatëse, ndërsa i pesti nuk kishte njohuri financiare. Tjetër problem i konstatuar nga avokatët, ishte fakti që ekspertët nuk janë njohur me akte të rëndësishme të dosjes dhe se nuk kanë marrë kompetenca të gjykatës e prokurorisë.


Nga ana tjetër, siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, ka pasur përplasje në sallën e gjyqit mes familjarëve të viktimave dhe Mediut.

Akuzohem për Gërdecin, kur kam dhënë dorëheqjen dhe lashë mandatin. Dua të përballem me ligjin, jo akuza politike. Po kërkohet një kokë turku”, mësohet të ketë thënë Mediu.

Ndërkohë familjarët e viktimave janë shprehur se “fajin e kanë prokurorët që nuk ngrenë akuza për vrasje”, duke e cilësuar Mediun si “kriminel” dhe duke i thënë “Turp të të vijë!”

Ish-ministri ka shtuar se ekspertët janë të paligjshëm duke e konsideruar një proces terësisht të pabazë. Në përgjigjie, prokurorët kanë refuzuar kërkesën për akt ekspertim të ri.




Skip to toolbar