Kriza e Kullës, Balluku: Mbaroi. Nesër situatë normale

AKTUALITET


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka folur nga Rinasi për situatën e krijuar. Balluku tha se nga ky moment do të nisin fluturimet esenciale. Balluku tha se bllokimi i punës në Rinas ishte një plan i organizuar për të pezulluar punën deri në ditën e zgjedhjeve.

“Jam këtu për të komunikuar situatën në aeroportin e Rinasit, pas ngjarjes të bllokimit të trafikut, pas greve të paligjshme nga kontrollorët e trafikut ajror. Në këto momente në aeroportin e Rinasit do të nisin fluturimet esenciale. Ato që futen në këtë kategori, këto udhëtime përfshijnë; fluturimet emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake. Kemi arritur që me një përpjekje të madhe gjatë natës së mbrëmshme të ruajmë sasinë vaksinave të konsiderueshme që do duhej të vinin dje. Do të vijnë sot rreth orës 3, dhe më pas do të nisë shpërndarja siç ishte planifikuar. Dua të informoj të gjithë qytetarët që na kanë shkruar dhe janë të interesuar dhe ata që kanë ardhur sot në aeroport që s’do të jetë e pamundur në këto momente që të kemi udhëtime komerciale. Por gjatë ditës është duke u arritur për të zgjidhur këtë problem shumë të madh.


Sipas të gjitha planeve tona, do të mitigohet në ditën e nesërme. Nesër dhe gjatë gjithë ditës do të kemi operime normale për të gjithë udhëtarët e fluturimeve komerciale. Rëndësi ka që trafiku ajror ka filluar punën. Kjo situatë e rëndë dhe e jashtëzakonshme padyshim që na ka bërë të kuptojmë se ka qenë një plan i organizuar për të pasur një bllokim deri në ditën e fundit të zgjedhjeve. Megjithatë janë marrë të gjitha të dhënat në këto momente për të bërë një verifikim të thellë të situatës. Rëndësi ka që trafiku ajror ka rifilluar punën dhe ne po nisim hap pas hapi problemin. Në bashkëpunim edhe me grupet e punës së aeroportit të Rinasit, për të kthyer gjithçka në normalitet.

Ashtu siç thashë, në pistën e aeroportit të Rinasit nga ky moment do të fillojnë të ulen të gjitha ata avionë që futen në kategorinë e fluturimeve esenciale, pra fluturimet humanitare, fluturimet shëndetësore, emergjencat, diplomatike, shtetërore dhe fluturimet ushtarake. Ndërkohë që fluturimet komerciale, të aviacionit civil për të akomoduar të gjithë udhëtarët që vijnë në Shqipëri ose nise nga Shqipëria do të fillojnë nga nesër në mëngjes.”, tha ajo.




Skip to toolbar