Kriza politike, aleatët e Bashës kërkojnë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë

AKTUALITET


Krerët e partive aleate të Koalicionit Opozitar kanë zhvilluar një takim në qytetin e Shkodrës nga ku kanë deklaruar se zgjidhja e krizës vjen vetëm nëse zgjedhjet lokale shtyhen për në vjeshtë dhe zhvillohen bashkë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Aleatët e Bashës kërkojnë me ngulm krijimin e një qeverie tranzitore e cila do të përgatisë terrenin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.


 “Kryeministri, ata që janë në Parlament sot, i anatemon, i quan zëvendësues të Partisë Demokratike. Ata, të paktën në këto momente, përderisa mendojnë se zgjedhje me një parti nuk mund të ketë, duhet të bojkotojnë Parlamentin. Ne marrim përsipër, që sëbashku, e gjithë politika të dakordësohet, të ketë vullnet pozitiv, të shkëputet nga krimi përfundimisht, dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet një qeverie kalimtare e cila kërkon një kohë të caktuar, nuk mund të bëhet as për një javë, as për dy javë, as për një muaj dhe as për dy muaj por ndoshta do të kërkojë një periudhë 5-6 mujore”, u shpreh kreu i PAA, Agron Duka

“Ju si shkodranë keni qenë përherë në krye të betejave demokratike. Më 30 qershor zgjedhje nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të ketë, por kjo nuk mjafton. Duhet të jemi të gjithë, si sot, më shumë nesër, me qëllim jo vetëm të mos realizohen zgjedhje në 30 qershor, por kur të realizohen ato në vjeshtë, zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje për pushtetin vendor, pasi të jetë ngritur një qeveri tranzitore, duhet të jenë zgjedhje me një mesazh të fuqishëm, se Shqipëria nuk do t’i kthehet më asnjëherë praktikave totalitare, të një qeverisje që pretendon se është zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.

“Ne po rezistojmë për gjënë që është më esenciale që kemi fituar këto 27-28 vjet, lirinë për të zgjedhur. Po e humbëm edhe këtë, këtu demokracia mbetet një fjalë boshe pastaj, dhe kthehemi atje ku kemi qenë. Kështuqë, edhe njëherë, do t’ju ftoja të vimë ditën e dielë, do të na duhet edhe një e dielë tjetër ndoshta, do të na duhet këtu në Shkodër të organizohemi më shumë, sepse rrugë tjetër nuk na ka mbetur. Ai zotëria po tenton me një parti, ne do t’i themi ‘nuk do të lejojmë’, kjo është e drejta jonë. Kemi mundësi të kemi pluralizëm, po qemë të zotët ia arrijmë, po na thyen, bravo ju qoftë, do t’i durojmë pastaj, do të ulim kokën e të rrimë. Unë ju falenderoj se jam i sigurt që Shkodra s’ka ndërmend ta ulë kokën.” u shpreh kreu i LZHK, Dashamir Shehi.

Krerët e partive opozitare e mbyllën takimin duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës në datën 2 Qershor.




Skip to toolbar