Kryemadhi në “Real Story”: Ndërkombëtarët, armiq të Shqipërisë

#NËRADAR


“Ne kemi pasur një armik, dhe që ka qenë partner në krijimin e situatës ku jemi sot, dhe që janë ndërkombëtarët”, kështu u shpreh Monika Kryemadhi në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News 24. Kryemadhi foli ashpër, madje si asnjëherë më parë, duke i cilësuar ambasadorët “armiq” të Shqipërisë. “Ne kemi pasur një armik, dhe që ka qenë partner në krijimin e situatës ku jemi sot, dhe që janë ndërkombëtarët. Ne jemi në këtë gjendje për shkak të ndërhyrjes së ambasadorëve në punët e brendshme të Shqipërisë. Unë jam një nga njerëzit që debatoj më shumë me të huajt. Mua nuk më shantazhon dot asnjë”, u shpreh Kryemadhi.

Ajo vijoi më tej me akuzat ndaj ambasadorëve të huaj, duke u shprehur se ata nuk mendojnë për të mirën e Shqipërisë. “Çdo ambasador i huaj mendon për vendin vendin e tij. Ata nuk mendojnë për të mirën e Shqipërisë. Ke ti ndonjë biznes shqiptar në Itali, Gjermani… Nënshtrimi dhe partneriteti janë dy gjëra të ndryshme me të huajt. Unë jam partnere me të huajt dhe jo e nënshtruar”, tha Kryemadhi. Ndaj deklartës së ashpër të Monika Kryemadhi ndaj ambasadorëve ndërkombëtar, ndërhyri analisti Skënder Minxhozi.


Ai u shpreh se vendi ynë i detyrohet shumë ndërkombëtarëve, duke përmendur pavarësinë e Kosovës dhe çështje të tjera. “Shqipëria pa ndërkombëtarët është inefiçente. Kështu është kur të huajt janë siç mendoj unë, janë të mirë, kurse janë të këqij kur s’më leverdis mua. Ndërkombëtarët kanë krijuar Kosovën”, tha ndër të tjera Skënder Minxhozi. Kurse analisti Arjan Vasiari u shpreh se ato që dëgjoi nga Monika Kryemadhi “janë gjëra tmerrësisht të rënda”. Ndërkohë, në fund të emisionit, Monika Kryemadhi deklaroi se protestat e opozitës do të jenë më të forta. Sipas saj, ato nuk do të jenë për të djegur zyrtat shtetërore dhe pronat e qytetarëve, por për ti bërë presion qeverisë.

Minxhzoi në “Real Story”: As gëzim e as dështim, hapja ose jo e negociatave

Analisti Skënder Minxhozi, u shpreh në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se nëse nuk hapen negociatat, nuk do të jetë as gëzim dhe as dështim. “Hapja e negociatave, si do që të shkojë puna, nuk është një gëzim nëse do hapen, dhe nuk do jetë dështim nëse nuk do hapen. Veç variantit më të keq të ndarjes nga Maqedonia”, u shpreh ai.

Sipas analistit, vendi nuk është gati për hapjen e negociatave. Megjithatë, nëse do të merret një vendim “pro”, ai do të jetë dhe duhet të jetë thellësisht politik. “E para Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Vendimi në rastin tonë, për mendimin tim, do të jetë thellësisht politik dhe pozitivisht politik, për hapjen e negociatave”, u shpreh Minxhozi.

Në fund, Skënder Minxhozi shtoi se me liberalizimin e vizave, nocioni i integrimit në BE për shumicën e shqiptarëve, ka humbur kuptimin klasik. “Tani, Monika thotë me të drejtë: më mirë brenda se të kontrollojnë, se të jesh jashtë. Arsyeja e dytë, është se për mendimin tim, që nga viti 2010, kur ne kemi marë regjimin e vizave, çështja e integrimin për shqiptarin e zakonshëm, e ka humbur nocionin klasik për kapitujt. Hajde shpjegoi ti shqiptarit këtë”, tha Minxhozi.

“Lejen për pallatin ma dha Rama e Basha”. Kryemadhi përplaset me Lubonjën

Monika Kryemadhi dhe analisti Fatos Lubonja janë përplasur në “Real Story”. Kryemadhi, përmendi fëmijët e saj që studiojnë në Londër. Sipas saj, në Shqipëri vajza e saj nuk do mund të shkollohej. Ndërkohë, në këtë moment ndërhyri analisti Lubonja, i cili u shpreh se kalasa politike ka ndjekur logjikën për “t`i çuar fëmijët në Londër, ndërsa të tjerë të rrijnë këtu”.

Debati:

Lubonja: Logjika që na çoi këtu ishte që “ne t’i çojmë fëmijët jashtë dhe këta të rrinë këtu”.

Kryemadhi: Fakti që i fusim të gjithë në një kazan, normal që njerëzit nuk dinë të dallojnë pastaj. Partitë politike kanë faj, edhe krerët e partive, edhe mediet, të gjithë kanë faj. Njerëzit duhet të dinë sa para janë shpenzuar nga ky vit, në këtë vit. Nuk ndjehem keq pse vajza ime shkollohet për matematikë në Londër, se kush do ma shkollonte këtu.

Lubonja: Po ç’lidhje ka kjo tani. Pse bën këtë lëmsh, po flasim për gjithë klasën politike.

Kryemadhi: Unë e kam shansin për fëmijën tim, një tjetër nuk e ka shansin. Siç ke ndërtuar ti pallatin te vila jote, kam ndërtuar edhe unë pallatin te shtëpia ime, me lejen e Edi Ramës dhe me lejen e Lulzim Bashës.

Lubonja: Edhe unë nëse kam ndërtuar pallat, gabim.

Kryemadhi: Po jo pse kemi bërë gabim ne, pse kemi zhvilluar pronën tonë? Jo Lubonja e ke gabim, ne kemi zhvilluar pronën. Unë e kisha mundësinë që ma dhanë prindërit atë mundësi, për fat të mirë të babait tim, kam një pallat, 16 mijë metra katrorë, në të cilën shkolloj fëmijët e mij.

Lubonja: Atëherë mos u anko me Edi Ramën fare…

Kryemadhi: Jo, Edi Rama ma dha lejen mua dhe Lulzim Basha…Makineria e propagandës është shumë e madhe, sa të mbyt. Unë nuk jam si Edi Rama, kam kontribuuar më shumë se ai, se kam qenë e sulmuar si bashkëshortja e Ilir Metës. Ndërsa Edi Rama ka kaq shumë vite në pushtet dhe askush nuk flet për koncesionet e tij.

Lubonja: Po pse tani u bënë ato, po kur ishe ti në pushtet.

Kryemadhi: Nga 2013-2015 qeverisja ka funksionuar në mënyrë perfekte.

Sistemi zgjedhor, Kryemadhi në “Real Story”: Të shkojmë në referendum

Monika Kryemadhi dhe analisti Skënder Minxhozi debatuan në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në lidhje me reformën Zgjedhore. Sipas analistit Minxhozi, të gjitha partitë politike, përjashto LSI, duan që të  kenë një sistem zgjedhor ku kryetari kontrollon gjithçka, duke vendosur emrat e deputetëve në lista.  “Të gjithë këtu e pëlqejnë faktin që të kemi një sistem zgjedhor që kryetari të kontrollojë gjithçka. Dy partitë e mëdha janë shumë komode me faktin se listat mbyllen natën e fundit të afatit dhe kryetarët i bëjnë të gjitha vetë. Partitë nuk kanë jetë të brendshme demokratike për të sjell lista kandidatësh që të jenë aty ku duhet të jenë”, tha Minxhozi.

Monika Kryemadhi ndërhyri në debat, duke u shprehur se problem nuk është sistemi zgjedhor, por sistemi i drejtësisë. Kryemadhi u shpreh se sistemi me lista të mbyllura kufizon demokracinë brenda partive.  “Këtu nuk është problem sistemi zgjedhor. Këtu është problem sistemi i drejtësisë. Deputeti i Kukësit nuk është barabartë me deputetin e Fierit apo Tiranës. Shkojmë te mazhoritari. Unë besoj te ëndrrat e të rinjëve, se ata kanë bërë shpikjet më të mëdha. Unë jam për atë sistem, që vota ime, dhe e të gjithëve të jetë e barabartë. Për mua lista e mbyllur është mungesë demokracie. Do ta bësh me qark, bëje, do proporcional kombëtar, bëje”, tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi deklaroi në “Real Story”, se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, erdhën pasi Berisha pranoi kushtet e Edi Ramës, pasi kërkonte të zvogëlonte kompetencat e Bamir Topit, që ishte president. “Kjo rregullohet me vullnet politik. Ne kemi qenë të hapur për të bërë debat të hapur publik për sistemin. Sali Berisha për të zvogëluar kompetencat e Bamir Topit, pranoi kushtet e Edi Ramës në 2008, me të vetmin kusht që ai të futej në zgjedhje. Duhet të jetë një parlament me madat të kufizuar, sic e bëri Kroacia. Ose shkojmë drejt një referendumi, dhe hajde të përgatitemi e të vendosim si popull, për sistemin zgjedhor, për zgjedhjen e presidentit. Këtu mungon vetëm vullneti politik i një individi”, tha Kryemadhi.

Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi duke iu referuar hapjes ose jo të negociatave, ai u shpreh se një vendim qoftë kundër apo pro Shqipërisë, nuk do të kishte peshë elektorale. “Në fund, unë besoj se zgjedhjet as nuk fitohen as nuk humben me një hapje të negociatave. Për mua nuk është karburant elektoral. Nuk besoj se negociatat do influenconin zgjidhjen ose jo të krizës. Ligji elektoral. Ne jemi në këtë stad, dhe procesi i reformës zgjedhor ishte vetëm ajo tavolinë me një vajtje dhe një ikje, dhe asgjë tjetër”, shtoi Minxhozi.

Kryemadhi: Zgjedhjet zgjidhin krizën, mbyllin debatin shterpë

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha se zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për daljen e vendit nga kriza dhe t’i jap fund një debati shterpë të zgjatur në kohë. Kryemadhi tha se nëse kriza tejzgjatet më shumë atëherë vendi do të përfundojë në një kolaps që në fund do e vuajnë qytetarët shqiptarë. E ftuar në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24, Kryemadhi tha se fakti pavarësisht akteve ekstreme të marra nga opozita, ishte ajo që i ofroi një platformë zgjidhje me 5 pika qeverisë. E pyetur nëse opozita kishte ndryshuar qëndrimin e saj ku sot flet për dialog dhe zgjedhje të reja, Kryemadhi u shpreh se kjo nuk ka ndodhur. Ajo theksoi se aktet ekstreme të marra nga opozita u bënë për të treguar atë që raporti i OSBE/ODIHR-it tha për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Zgjedhjet janë e vetmja mundësi që mbyll këtë mish amash të madh që është krijuar në vend. Ky është një debat shterpë dhe njerëzit janë lodhur nga fjalimet politike dhe kërkojnë zgjidhje për familjet e tyre. Kjo zgjidhje do të vijë vetëm përmes zgjedhjeve. Kjo krizë e tejzgjatur do të sjelle një kolaps të ekonomisë që në fund do e paguajnë shqiptarët dhe jo klasa politike. Për zgjidhjen e kësaj opozita paraqiti një platformë me 5 pika. Pra ishte opozita që më aktet saj ekstreme iu drejtuar më një plan të qartë qeverisë për të zgjidhur krizën. Në votimet e 30 Qershorit, Edi Ramën nuk e dëmtoi pjesëmarrja në zgjedhje por raporti i OSBE/ODIHR. Opozita me qëndrimet e saj ekstreme vendosëm që përmes tyre të nxirrnin atë që nxori raporti. ” tha Kryemadhi.

Në lidhje me negociatat, Kryemadhi e cilësoi katastrofike nëse do të kishte një ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ndërsa theksoi se ato duhet të hapen në mënyrë që të ketë një kontroll më të madh ndaj qeverisë dhe zbatimit të ligjit.

“Veçimi i Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut do të ishte një katastrofë. Kjo nuk duhet të ndodh. Ndërsa hapjen e negociatave e shoh si një “futje në kornizë” të klasës politike dhe e detyron atë të ketë një qëndrim të stabilizuar në politiken e jashtme. Hapja e negociatave do krijojë një lloj vlere dhe barazie në ekonominë shqiptare por dhe krijimin e kushteve për arritjen e depolitizimit të administratës dhe përfshirjes së politikës në korrupsion.” tha Kryemadhi.

“Ndërhyrjet në reformë rekord”, Vasjari: Zgjedhorja nuk zgjidh krizën

Analisti Arjan Vasjari tha se nuk e shikon Reformën Zgjedhore si një zgjidhje të krizës në vend, pasi për të problemi nuk qëndron te pushteti, por te sistemi. Vasjari tha se Shqipëria ka një shifër rekord për ndërhyrjet në reformën zgjedhore dhe deri më sot vijon të ketë probleme dhe të mos gjejë zgjidhje. Për këtë arsye, Vasjari thekson se kriza nuk është e pushtetit, por është e sistemit.

“Zgjidhja e krizës nuk është reformë zgjedhore siç tha Basha, unë se besoj. Pse? Në 27 vite kemi ndërhyrë 13 herë në reformën zgjedhore. Deri sa vijojmë të jemi ende në këtë gjendje atëherë nuk mund të besoj se ky ndryshim i ri do të zgjedh zgjidhjen që presim. Nëse vazhdojmë të bazohemi tek vullneti politik atëherë kemi një sistem zgjedhjesh që ikën njëri, vjen tjetri dhe nuk ndryshon asgjë. Në këtë rast dalim në përfundimin se nuk kemi krizë pushteti këtu, por jemi në një krizë sistemi.” tha Vasjari

Në lidhje me negociatat, Vasjari theksoi se hapja e tyre “ është oksigjeni që nuk do zgjidh probleme në themel, por do imponojë klasën politike të zbatojë rregullat. Ndërsa marrja e një “jo” do të ishte deprimuese për vendin”.

 “Parlamenti është ilegjitim” Kryemadhi përplaset me Vasjarin

Legjitimiteti i Kuvendit dhe deputetëve të rinj të opozitës ka përplasur kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi me analistin Arjan Vasjari në studion e emisionit ‘Real Story”. Kryemadhi theksoi se parlamenti është ilegjitim pasi nga 140 deputetë në fakt ka vetëm 122 dhe se procedura e emërimit të tyre është bërë kundër rregullave. “Kuvendi është ilegjitim pasi nga 140 deputetë sot ka 122. Gjithashtu mënyra e emërimit të tyre duhej bërë një nga një ashtu siç duheshin thirrur edhe deputet e larguar një nga një. Por procedurat nuk janë respektuar dhe emërimi i tyre është bërë në bllok duke u përshpejtuar.” tha Kryemadhi

Ndërsa për analistin Arjan Vasjari, Kuvendi është legjitim dhe çdo deputet i zgjedhur nga listat emërore të partive janë legjitimë. Ndërsa në lidhje me legjitimitetin moral, Vasjari tha se çdokush e mendon në mënyrë të ndryshme. “Parlamenti është legjitim. Të gjithë ato që janë atje brenda janë legjitim. Ata që kanë dalë nga lista emërore e partive janë legjitim atje ku janë në parlament. Në kuptim të çështjes morale atëherë çdo njeri prej nesh ka një mendim të caktuar.”- tha Vasjari./Realstory.al/




Skip to toolbar