Kryeparlamentarja Nikolla, takim me reporteren për Shqipërinë në PE, në fokus integrimi në BE dhe dialogu politik ndërpartiak në Kuvend

Më të fundit


Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, u takua sot pasdite me Isabel Santos, reportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Kryetarja Nikolla e falënderoi Santos për mbështetjen për avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe kontributin në njohjen dhe vlerësimin e këtij procesi në Parlamentin Europian dhe institucionet europiane.


“Procesi i negociatave për marrëveshjen e anëtarësimit kërkon ngritjen në një nivel të ri të rolit legjislativ dhe mbikëqyrës të Kuvendit, sidomos për kontrollin e përputhshmërisë së projektligjeve me acquis të BE-së. Mbështetja dhe mbikëqyrja e plotësimit të standardeve të anëtarësimit përbën një prioritet të Kuvendit të Shqipërisë. Në Kuvend po punojmë për forcimin e dialogut politik për avancimin e reformave dhe të procesit të integrimit europian”, u shpreh Nikolla.

Kryetarja Nikolla vuri në dukje se Kuvendi po punon për zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të KE për Shqipërinë 2023, përgatitjen e pozicioneve negociuese dhe udhërrëfyesve “për shtetin e së drejtës”, “reformës në administratën publike” dhe “funksionimin e institucioneve demokratike” si edhe Planin e Veprimit për adresimin e rekomandimeve që i drejtohen Kuvendit në Raportin Analitik për Grup-kapitujt e Parë.

Isabel Santos vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, përgëzoi Kryetaren Nikolla për normalizimin e dialogut politik ndërpartiak në Kuvend dhe nënvizoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së tij për konsolidimin e institucioneve demokratike, vijimin e reformave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. /abcnews.al




Skip to toolbar