Kryeprokurori, Marku drejt ankimimit të renditjes. Kërkon informacion nga KLP

#NËRADAR



Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Markua i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që t`i vihet në dispozicion pikëzimi i detajuar i secilit anëtar të KLP. Në shkresën drejtuar KLP, Marku kërkon të “njihet me analizën dhe meteodologjinë përkatëse të vlerësimit të ndjekur nga secili anëtar, sipas formatit të detyruar ligjor”. Kjo kërkesë, sipas Kryeprokurores aktuale, bëhet me qëllim “që të vlerësoj të drejtën për të ushtruar ankim të vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

Arta Marku është njoftuar në datë 18 nëntor në lidhje me vendimin e KLP-s për renditjen e kandidatëve që synojnë postin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm. Marku u rendit e dyta nga KLP me 406 pikë, ndërsa në vendin e parë u rendit kandidati Olsian Çela me 459 pikë. Ndërkohë në vendin e tretë u rendit Fatjona Memçaj me 362 pikë.


Kujtojmë se sipas ligjit, kandidatët për Prokurorin e Përgjithshëm kanë tre ditë afat për të bërë ankim në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas Nenit 34 të ligjit “Për funksionimin e Prokurorisë”, “Kandidatët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për propozimin e renditjes së tyre në listë, brenda tri ditëve nga data e njoftimit të tij. Ankimi mund të bazohet vetëm në arsyetimin që kanë ndodhur gabime faktike ose procedurale, të cilat mund të kenë ndikuar në rezultatin e renditjes së kandidatëve”.

Ndërkohë, po sipas këtij ligji, Gjykata Administrative e Apelit duhet të vendos brenda shtatë ditëve nga data e paraqitjes së ankimit. “Gjykata Administrative e Apelit vendos brenda shtatë ditëve nga data e paraqitjes së ankimit. Gjykata Administrative e Apelit shqyrton vetëm gabimet faktike ose procedurale, të cilat mund të kenë ndikuar në rezultatin e renditjes dhe nuk zëvendëson vlerësimin e kritereve me vlerësimin e saj. Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i formës së prerë dhe kundër tij nuk lejohet rekurs”, thuhet në Nenin 34 të ligjit për Prokurorinë./Realstory.al/