Kryesimi i nismave rajonale, ministri Hasani: Zgjerimi, projekti më i suksesshëm i Bashkimit Evropian

AKTUALITET


Gjatë takimeve të nivelit të lartë të zhvilluara në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria, si vend kryesues i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Nismës së Evropës Qendrore (CEI), rikonfirmoi angazhimin e saj për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe shfrytëzimi i potencialit të përbashkët për të arritur zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e një të ardhme më të begatë për qytetarët e rajonit.

“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, dhe ne duhet të përfitojmë nga mundësitë që na presin,” u shpreh Ministri Hasani.

Po ashtu, Ministri Hasani nënvizoi se avancimi i qëndrueshëm i procesit të integrimit evropian mbetet një prioritet kyç i kryesimit shqiptar të CEI.

Në të dyja nismat, Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin e saj për forcimin e stabilitetit, sigurisë, dhe klimës së investimeve në rajon, si dhe për mbështetjen e Ukrainës dhe përballjen me sfidat globale në kuadër të Agjendës 2030./abcnews.al/



Skip to toolbar