Kryhet ekzekutimi i parë i një të dënuari me azot, i kishte mbijetuar më herët injeksionit

BOTA


Këtë të enjte u përdor për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazi azot, për ekzekutimin e një të dënuari me vdekje.

I dënuari Kenneth Smith u vra duke e asfiksuar me gaz azot si një metodë që në Alabama po mendohet të çohet përpara si një alternativë më e thjeshtë ndaj injeksioneve vdekjeprurëse.


Smith,  i dënuar për vrasje në vitin 1988, ishte një i burgosur i rrallë që i kishte mbijetuar një tentative ekzekutimi. Në nëntor 2022, zyrtarët e Alabamës e ndërprenë ekzekutimin me injeksion vdekjeprurës pasi u përpoqën për orë të tëra për të aplikuar një gjilpërë intravenoze në trupin e tij.

Por këtë herë, në dhomën e ekzekutimit, “xhelatët” ishin kujdesur që ai të mos i shpëtonte më dënimit kapital.  Në fytyrë i kishin lidhur një maskë respiratore dhe në të kishin vendosur azotin, të cili i dënuari e mori në vend të oksigjenit. 

Sipas gazetarëve të cilët ishin dëshmitarë të këtij ekzekutimi, Smith ishte i vetëdijshëm edhe pas disa minutash nga aplikimi i azotit, por kjo nuk zgjati shumë.

Pak përpara ekzekutimit, Smith bëri një deklaratë,  duke thënë se ndër të tjera se më këtë veprim Alabama bëri që njerëzimi të bënte një hap prapa.

Kundërshtarët e dënimit me vdekje, duke përfshirë ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, kanë thënë se metoda është eksperimentale me njerëzit dhe thjesht mund t’i lëndojë ata pa e vrarë ose ta çojë në një vdekje torturuese.




Skip to toolbar