Anëtari i grupit “Për PD” Edvin Kulluri tha se epoka e Lulzim Bashës ka mbaruar në PD dhe se ai nuk mund ta marrë dot më peng atë. Në një intervistë për Report Tv, Kulluri foli për garën për zgjedhje e kryetarit të ri për demokratët duke u shprehur se të vetmet pengesa janë ato artificiale që ka krijuar nga vetë Basha dhe komisioni kukull i krijuar prej tij.
Për Kullurin, kandidatura e Edith Harxhit me programin e saj do të nxjerrë PD nga kjo krizë identiteti dhe do e bëjë atë një parti konkurrues për të fituar zgjedhjet.
“Fushata jonë është në mbështetje të plotë për zonjën Harxhi dhe është një punë e nisur 4 vite më parë për modernizimin e PD dhe për t’i dhënë asaj një të ardhme për ta nxjerrë PD nga një krizë identiteti dhe për ta çuar atë në një parti konkurruese për ta nxjerrë fituese në zgjedhje. Të vetmet vështirësi janë ato artificiale dhe të pamoralshme të krijuar nga Basha dhe komisionit kukull i vendosur nga Basha në mënyrë të njëanshme. Epoka e Lulzim Bashën në PD ka mbaruar dhe PD ka një të ardhme dhe kjo vjen përmes një gare. PD nuk e merr dot më peng askush”, tha Kulluri.
Në lidhje me kandidatët e tjerë në garë për kreun e PD, Kulluri tha se si Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj kanë se çfarë të japin në fushatë, por Harxhi është figura më e kompletuar për demokratët.
“Kadilli dhe Shehaj kanë se çfarë i ofrojnë kësaj fushate. Zonja Harxhi ka qenë konsistente në kërkesat dhe përpjekjet e saj për të hapur PD. Ajo është figura më e plotë për shkak të profilit dhe aktivitetit të saj. Ajo në programin e saj kërkon t’i japi Kuvendit të partisë peshën e vetë pasi PD nuk është byrektore dhe nuk drejtohet vetëm se çfarë do kryetari”, tha Kulluri.
Kulluri shtoi se Basha nuk është pronar i PD dhe se prej 12 vitesh e ka lënë partinë në opozitë.
“Basha nuk është pronar i PD dhe nuk i kërkojmë as të dorëzojë dhe as të marrë gjë. Ne sot kemi një kryetar që e ka lënë 12 vite në opozitë PD për shkak të mungesës së transparencës dhe demokracisë brenda partisë”, tha Kulluri.