Në prag të festës së Kurban Bajramit, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu uron të gjithë besimtarët myslimanë për më shumë shëndet, paqe e begati në familjet e tyre.
“Ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për shëndet, paqe dhe mëshirë në familjet tuaja. Kurbani nuk është thjesht një akt simbolik por një shprehje e përkushtimit dhe bindjes së njerëzve ndaj Krijuesit të Gjithësisë.
Ai lidhet drejtpërdrejtë me një prej tregimeve më madhështore të Shpalljes Hyjnore në Kuranin Famëlart, historinë e Pejgamberit Ibrahim ali Selam dhe sakrificës së tij sublime për të cuar në vend premtimin e dhënë.
Kurani na mëson se te Zoti nuk arrin as mishi as gjaku, pra nuk është ky qëllimi i Kurbanit por devotshmëria dhe qëllimi i pastër i zemrës, le të jetë kjo festë një mundësi, për të thelluar lidhjen tonë me krijuesin për të forcuar lidhjet me njeri tjetrin dhe për të ndarë me ata që kanë më pak.
Të mos harrojmë të varfërit, fqinjët dhe të afërmit sic na mëson tradita profetike. Sepse vetëm përmes ndarjes dhe solidaritetit shfaqim vlerat më të larta të fesë sonë.
Në emrin tim dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj nga zemra Gëzuar Kurban Bajramin, Zoti e begatoftë popullin tonë dhe udhëzoftë njerëzimin drejt paqes dhe mëshirës,” shprehet ai, në mesazhin drejtuar myslimanëve.
Sakaq KMSH njofton se falja e Kurban Bajramit do të kryhet në Bulevardin e ri në orën 06:15.