Kush janë turistet që humbën jetën tragjikisht në Valbonë! Përfunduan në greminë prej mjegullës

AKTUALITET


Baets Myrthe, 25 vjeçe nga Belgjika dhe Joanna Blocaille me origjinë franceze janë turistet e huaja që humbën jetën tragjikisht teksa po eksploronin zonën në Qafë-Valbonë.

Mbrëmjen e djeshme, ato po lëviznin në shtegun Valbonë-Theth pa asnjë shoqërues që njeh zonën dhe si pasojë e terrenit të ashpër dhe kushteve jo të favorshme atmosferike, me mjegull e borë, kanë rrëshqitur dhe kanë përfunduar në greminë.


Më vonë, u ka rënë dhe një ortek, goditje që ka rezultuar fatale për jetën e të rejave. Ngjarja ka ndodhur në të njëjtin vend ku në 10 Maj të vitit të kaluar humbi jetën një turist gjerman.

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë shkuan në vendngjarje shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.




Skip to toolbar