Kuvendi shqyrton sot nen për nen projektbuxhetin 2022 dhe Paketën Fiskale

Më të fundit


Kuvendi shqyrton sot në seancë plenare nen për nen projektbuxhetin dhe Paketën Fiskale që shoqëron atë. Projektbuxheti dhe Paketa Fiskale për diskutim dhe miratim në seancën plenare pas më shumë se një muaji diskutimesh.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka deklaruar se projektbuxheti i vitit të ardhshëm ka si objektiv primar konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike, pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin në mënyrë të njëpasnjëshme, tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID-19.


Sipas saj, ky objektiv madhor bazohet në pritshmëritë pozitive të qeverisë për një rritje ekonomike prej 7.6 % në vitin 2021, pritshmëri në linjë me parashikimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si FMN, BB, BERZH, etj, të cilat konfirmojnë njëkohësisht trendin pozitiv për periudhën afatmesme 2022-2024.

Në rend të ditësh është parashikuar edhe ratifikimi i marrëveshjes së financimit me Maqedoninë e Veriut për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II.
Po ashtu do të shqyrtohet edhe marrëveshja tjetër me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është edhe marrëveshja kuadër e huas me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për zbutjen e pandemisë COVID-19.

Gjithashtu në seancën e sotme do të miratohet një ndryshim në vendimin për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit.