Kuvendi: Sot në seancë të gjithë deputetët; Bardhi njofton të tijtë: ‘Përjashtimi’ është anuluar

Më të fundit


Në një kohë kur sot pritet të ketë debate të forta në Kuvend, mësohet se deputetët opozitarë të përjashtuar do të mund të marrin pjesë në seancë.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Ky i fundit ka njoftuar kolegët e tij se i ka ardhur një njoftim nga Kuvendi për pjesëmarrjen e 23 deputetëve të përjashtuar në seancë.

“Të nderuar kolegë, Zyrtarisht jemi njoftuar nga Kuvendi që nuk do ketë asnjë pengesë për deputetët e përjashtuar për pjesëmarrje në seancë. Vendimi i përjashtimit është anuluar”, -mësohet të ketë njoftuar Bardhi kolegët.

Kujtojmë se salla e seancave plenare më 19 tetor, u shndërrua në arenën e protestës politike të opozitës dhe sidomos të deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha.

Pa nisur seanca opozitarët bllokuan vendet ku ulen ministrat dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, me qëllim pengimin e zhvillimit normal të seancën plenare. Në ato kushte kaosi, drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj vendosi shtyrjen.

Ndërkohë mazhoranca zyrtarisht depozitoi kërkesën për përjashtimin nga Kuvendi të 23 deputetëve opozitarë. Vendimi u mor po atë ditë.



Skip to toolbar