Le Monde: Burn out prindëror, një sindromë pothuajse e panjohur

BOTA


Psikologia belge Isabelle Roksam shpjegon fenomenin e burn-out prindëror, i cili njihet pak, por mund të na prekë të gjithëve.

Sipas saj burn-out prindëror është një sindromë e dallueshme nga burn-out profesional, apo nga depresioni, por pasojat mund të jenë të rënda në jetën e prindit dhe të fëmijëve. Shpesh ne jetojmë në një situatë të tillë pa e kuptuar se çfarë po ndodh me ne, me jetën tonë me fëmijët tanë. Njohja e problemit është hapi i parë dhe më i rëndësishmi drejt zgjidhjes.


Më poshtë artikulli i plotë:

Duke vrapuar drejt një modeli perfekt, prindërit gërmojnë varrin e tyre

Burnout nuk është ekskluzivitet i sferës profesionale. Ka prindër që nuk arrijnë dot më të kujdesen për fëmijët e tyre. Për psikologen  Izabel Roksam (Isabelle Roksam), është koha të trajtojmë vuajtjen e familjeve.

Kur Isabel Roksam hapi linjën e urgjencës SOS Prindër gjatë karantinës së parë në Belgjikë, ajo nuk priste të kishte aq thirrje telefonike : mbi 700 në dy muaj e gjysmë. Specialistja e prindërimit, kërkuese dhe profesoreshë në psikologji në Universitetin Katolik të Lëvenit (Belgjikë) ngre alarmin mbi vuajtjen e familjeve.

Të privuar nga mbështetja e shkollës apo e çerdhes, disa prindër duhet të bëjnë njëkohësisht punën nga shtëpia dhe rolin e mësuesit apo të kujdestarit me kohë të plotë, duke menaxhuar në të njëjtën kohë dhe mbarëvajtjen e familjes. Kjo është një sforco e madhe dhe disa prej tyre dorëzohen.

Kështu pandemia përkeqëson një tabu, burnout-in prindëror. Kjo sindromë e lodhjes ekstreme të prindërve ekzistonte edhe përpara krizës së pandemisë, por numri i prindërve të prekur ishte në ngritje 2020-ën, sipas një studimi të iniciuar nga IIPB (International Investigation of Parental Burnout) në 25 shtete në Europë, Azi, Amerikë dhe Oqeani i bashkëdrejtuar nga Isabelle Roksam dhe Moïra Mikolajczak.

Si filluat të interesoheni për burnout-in prindëror ?

Ideja lindi nga një diskutim me kolegen time Moïra Mikolajczak, profesoreshë në psikologji e specializuar në menaxhimin e stresit dhe emocioneve. Vështirësitë e saj si prind të bënin të mendoje për një burnout profesional. A ekzistonte një version prindëror i kësaj sindrome? Askush nuk fliste për këtë. Megjithatë që nga vitet 2010 vija re një evoluim në konsultat e mia psikologjike. Disa prindër vinin, jo për fëmijët e tyre në formë të plotë, por sepse ata vetë nuk ndiheshin mirë.

Na literaturën shkencore, nocioni burnout prindëror është shfaqur në vitet 1980. Në vitin 1983, dy kërkues aplikuan konceptin e burnout prindëror. Më pas, studimet kanë qenë të rralla. Shumë prej tyre fokusoheshin tëk prindër me fëmijë që vuanin nga sëmundje të rënda.

Ne ngritëm një hipotezë që burnout parental nuk limitohej vetëm në këto raste ekstreme. Gjatë një studimi paraprak, ne morëm mesazhe prekëse nga prindër që na falenderonin për evidentimin e problemeve të tyre. Koncepti merrte kuptim, por gjithçka mbetej për t’u bërë. Atëherë në vendosëm të nisnim një studim mbi burnout-in prindëror.

Nga se dallohet burnout prindëror nga depresioni, apo nga burnout profesional ?

Depresioni prek të gjitha sferat e jetës, ndërkohë që burnout është një turbullim stresi specifik në një kontekst të caktuar, profesional ose familjar. Burnout prindëror nuk përfshin problemet/vuajtjen në punë. Përkundrazi, disa investohen më shumë në jetën profesionale për të evituar jetën familjare.

Ne kemi përballur prindërimin me tre dimensione të burnout-it profesional, sipas modelit të Maslach; lodhjen ekstreme, humbjen e personalitetit dhe mungesës së ndienjës së përmbushjes. Një anë esenciale del nga kjo; një lodhje ekstreme fizike dhe emocionale. Prindi i prekur nga kjo sindromë nuk ka më energji për t’u kujdesur për fëmijët e tij.

Përkundrazi, ne nuk konstatuam humbje personaliteti, por në vend të kësaj vumë re një distancim të prindit nga fëmijët. Në këtë rast prindi e ushtron rolin e tij në mënyrë të ftohtë dhe automatike. Për sa i përket mungesës së ndienjës së përmbushjes, kjo përkthehet me një humbje të kënaqësisë nga roli prindëror. Sa më pak i sheh fëmijët, aq më mirë ndihet prindi i tejlodhur. Në përgjithësi ai nuk e njeh më vetveten, pasi më parë ai investohej jashtëzakonisht në rolin e prindit.

Si një prind bie në burnout ?

Të jesh prind të sjell shumë kënaqësi, por edhe jo pak stres. Burnout shfaqet kur balanca mes burimeve të kënaqësisë dhe faktorëve të stresit humb ekuilibrin në formë kronike.

Nuk ekziston një shkak i vetëm. Çdo burnout ka një histori me elementë të ndryshëm në secilën anë të peshores. Për sa u përket elementëve të stresit, ne kemi identifikuar faktorë risku të lidhur me kontekstin (fëmijë në moshë të vogël apo adoleshentë, prindër shumë të rinj apo në moshë të madhe, humbje e vendit të punës, vendbanim të ngushtë). Situata të veçanta (stres në punë, sëmundje, vdekje). Në lidhje me personalitetin e prindit (mungesë stabiliteti emocional, vështirësi për të menaxhuar stresin, perfeksionizëm). Në çift, (bashkë-prindërim jo i mirë, pakënaqësi në jetën bashkëshortore). Në edukim (mungesë force, shtrëngim i partnerit, lidhje bashkëshortore konfliktuale). Risqet personale, të bashkëjetesës dhe ato edukative peshojnë më shumë.

Pandemia shumëfishon burimet e stresit. Prindërit duhet të riorganizohen sipas kufizimeve sanitare. Ata merakosen për shëndetin e të afërmve apo për mbarëvajtjen shkollore të fëmijëve. Vështirësitë e tyre nuk kompensohen nga burimet, përkundrazi, mbështetja nga gjyshërit, aktivitetet shkollore të fëmijëve dhe mbrëmjet me miqtë pothuaj nuk ekzistojnë më. Kriza e prish balancën.

Një studim i IIPB zbulon pëshën e konsiderueshme që ka kultura

Sipas të dhënave tona të mbledhura në mbi 17.000 prindër në 42 shtete, shkalla e burnout-it prindëror varion në mënyrë radikale nga një vend në tjetrin. Ajo është pothuajse zero në Tajlandë apo Turqi, por shkon në 8% në SHBA, Belgjikë apo Poloni.

Faktorët kulturorë shpjegojnë një të katërtën e këtyre diferencave. Individualizmi luan një rol madhor në raport me pabarazitë ekonomike. Në vendet individualiste burnout prindëror ka përqindjen më të lartë.

Si e shpjegoni ju këtë ?

Ne kemi në plan të eksplorojmë disa hipoteza. Për shembull faktin që individualizmi na fton t’i bëjmë llogaritë vetëm me veten tonë. Ne kultivojmë autonominë. Në kulturën tonë të kërkosh ndihmë, është si të pranosh botërisht dobësinë tënde. Pra prindërimi ushtrohet vetëm ose në çift, çka prodhon stres. Është shumë më ndryshe në shoqëritë ‘’kolektiviste’’. Një proverb afrikan thotë se ‘’duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë’’.

Për më tepër individualizmi na fton të konsiderojmë çdo qënie njerëzore si unike, të dallohemi nga njëri-tjetri. Prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre të bëhen të pavarur, të jenë performantë, të jenë të zotët të zgjedhin dhe të marrin vendime. Respekti i më të moshuarve është pjesa më e lehtë e edukimit.

Ky fenomen duhet lidhur me evoluimin e fëmijës në shekullin e XX, me Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijës (1989), e cila i vendos prindindërit në shërbimin e interesit superior të fëmijës. Ata duhet ta duan, ta mbrojnë dhe të optimizojnë zhvillimin e tij. Ata duhet të rendisin nevojat e tyre pas nevojave të fëmijës, çka përbën të kundërtën e kulturës individualiste.




Skip to toolbar