Paranoja nga vaksina

AKTUALITET


Sëmundje e rëndë pas vaksinimit: Sindroma e veturës së re

Një pacient nga Charleroi i shkruan redaksisë: ‘’Të thuash që nuk ka efekte të rënda anësore pas vaksinimit është thjesht e pavërtetë. Edhe pse rrallë (…) pyesni specialistët t’ju flasin për sindromën Guillain-Barré dhe pasojat e saj.’’


Ky lexues na tregon eksperiencën e tij pas vaksinës anti-grip në fund të tetorit 2010. Ai u shtrua në spital në gjëndje paralize të rëndë 10 ditë më pas, kaloi 5 muaj në terapi intensive e pastaj një muaj rikuperim në spital, pa llogaritur edhe 4 muaj të tjerë rikuperimi pas spitalit. Ai ia atribuon sëmundjen vaksinës. Është mjaft i traumatizuar dhe kjo është e kuptueshme.

 Çfarë është Guillain-Barré ?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, sindroma Guillain-Barré është një prekje e rrallë në të cilën sistemi imunitar i pacientit prek nervat periferikë. Shkaku i sindromës është i panjohur. Të sëmurët shpesh (në 70% të rasteve) kanë pasur më parë një infeksion bakterien ose viral.

Kjo sindromë është shfaqur më rrallë nga vaksinimi apo një ndërhyrje kirurgjikale, si edhe pas një trajtimi që vepron në sistemin imunitar. Në shkallë vendi (Belgjikë) kjo sindromë prek 100 deri në 200 persona në vit. Vlerësohet se 1 deri në 1.9 persona për 100.000 banorë preket nga kjo sëmundje çdo vit.

Në vendet e prekura nga virusi Zika, është vënë re një rritje e papritur e numrit të rasteve me sindromën Guillain_Barré. Shpjegimi më i mundshëm sipas të dhënave mbi epidemitë e virusit Zika dhe kësaj sindrome është që kjo sindromë shfaqet prej këtij virusi. 

Bëhet fjalë për një sëmundje auto-imune (sistemi imunitar kthehet kundër vetvetes). Nuk ekziston deri më sot asnjë trajtim kurativ kundra sindromës Guillain.Barré, por sipas OBSH-së ka trajtime që zbusin simptomat dhe ulin kohëzgjatjen e sëmundjes. 

Kanë lidhje vaksinat me Guillain-Barré ?

A kemi vërrejtur një lidhje mes vaksinave dhe sindromës Guillain-Barré deri më sot? Ne morëm mendimin e Erik Muraille, imunolog në universitetin ULB të Brukselit dhe kërkues. ‘’Në dijeninë time i vetmi rast ku lidhja mes kësaj sindrome dhe vaksinimit ishte e qartë ishte gjatë vaksinimit kundër virusit influenza në SHBA më 1976. Janë vërrejtur 450 raste pas vaksinimit të një të katërtës së popullsisë amerikane, çka përfaqëson një rast për 110.000 persona.

Një sëmundje e rëndë si kjo, pas një vaksinimi, ndodh shumë shumë rrallë dhe është totalisht e pa identifikueshme përgjatë një studimi klinik në fazën e tretë, si studimet e Pfizer-BioNtech apo AstraZeneca dhe universiteti i Oksfordit , edhe nëse grupet e vullnetarëve janë 20.000 apo më shumë se 30.000 persona. Një frekuencë 1 në 100.000 bëhet e identifikueshme vetëm përgjatë vaksinimeve në masë.

Pfizer dhe rastet e rralla

FDA (Food and Drug Administration) publikoi në dhjetor të vitit të kaluar një raport të detajuar mbi studimin e tyre të të dhënave të studimit klinik të fazës së tretë të Pfizer.

Përveç efekteve dytësore të zakonshme pas një vaksine, raporti evidenton se ka 0.5% të personave (vullnetarëve) të cilët vuajnë probleme medikale të rënda përgjatë studimit klinik. Megjithatë ky numër është ekzaktësisht i njëjti edhe në grupin placebo (ku personat nuk marrin ilaç/vaksinë, por imitues). Pra nuk ka arësye të mendohet që këto sëmundje kanë ardhur nga vaksina. 

Raporti evidenton katër raste me paralizë Bell, një prekje e përkohëshme e muskujve të fytyrës (katër raste në grupin e të vaksinuarve dhe zero raste në grupin placebo), por sipas FDA-së kjo gjithsesi nuk përfaqëson një frekuencë mbi atë që vihet re në popullsinë e përgjithshme. FDA rekomandon megjithatë një vigjilencë specifike.

Agjencia Amerikane e Ilaçeve raporton gjithashtu që ka pasur tetë raste apandesiti tek personat e vaksinuar dhe katër tek grupi placebo, por këto raste nuk janë konsideruar si të lidhur me vaksinën. 

Sindroma e veturës së re me difekt

Në qoftë se një sëmundje e rëndë shfaqet përgjatë një vaksinimi në masë natyrisht që çdo i prekur nga kjo sëmundje do t’ia atribuojë atë vaksinës. Megjithatë një përkim në kohë nuk përbën domosdoshmërisht një lidhje.

Pra duhet parë nëse ka një efekt numerik të dukshëm mbi totalin e popullsisë. A ka ndryshuar frekuenca e patologjisë në mënyrë domethënëse në vend? Në qoftë se jo, nuk kemi provë që lidh sëmundjen me vaksinën. 

Ndodh që ky vizion statistik ‘’i grupit’’ është i vështirë për t’u pranuar nga pacientët që janë prekur nga një sëmundje e rëndë që ata ia atribuojnë vaksinës. Për ata, lidhja është evidente. Në pikëpamjen shkencore, stastistikore dhe të kolektivitetit, efektet dytësore të rënda janë shumë të rralla dhe nuk vënë asesi në diskutim raportin mes kostos (pasojave) dhe benefiteve të vaksinës. 

Devijimi nga perceptimi i riskut

Imagjinoni që ju blini një veturë të re, shpjegon Eric Billy, imuno-onkolog në Strasburg dhe anëtar i grupit ‘’Në anën e shkencës’’ (Du côté de la science) , i cili ka për synim të përhapë dijet shkencore dhe të luftojë kundra obskurantizmit. ‘’Në qoftë se iu ndodh një difekt me veturën e re, ju nuk do të blini më kurrë një veturë të re? Edhe ndodh që një veturë e re të ketë një problem motori.’’

‘’E njëjta gjë me aksidentet rrugore që janë aq të shpeshta’’, shpjegon Erik Muraille, ‘’por belgët vazhdojnë të udhëtojnë me veturë.’’ Bëhet fjalë për një risk përballë një eventi të përditshëm, i cili është i nënvlerësuar, ndërkohë që risku përballë një eventi shumë të rrallë (pas vaksinimit) është i mbivlerësuar’’./ RTBF




Skip to toolbar