Le Monde: SHBA, një proteksionizëm jo-produktiv

BOTA


Editorial i Le Monde. Si Donald Trump, edhe Joe Biden inkurajon blerjen made in USA. Në vend që të ndjekin këtë politikë proteksioniste me bilanc aspak të sigurt, SHBA-të do të fitonin më shumë duke milituar në favor të rregullave të reciprocitetit.

Ata që prisnin se Joe Biden do t’u kundërvihej politikave ekonomike të Donald Trump do të jenë të zhgënjyer. Larg ndarjes me proteksionizmin e paraardhësit, presidenti i ri planifikon që përkundrazi ta forcojë atë, me riskun e dobësimit të multilateralizmit dhe të marrëdhënies transatlantike dhe pa pasur ndonjë përfitim domethënës për punëmarrësit amerikanë.


Më 25 janar, pesë ditë pas marrjes së funksionit, presidenti Joe Biden firmosi një dekret presidencial për të detyruar administratën të blejë më shumë made in USA. Tashmë, që një produkt të konsiderohet si made in USA, përbërësit e tij duhet të furnizohen në masën 50% nga firmat amerikane. Ndërsa një firmë amerikane do të duhet të zgjidhet fituese e tenderave edhe nëse çmimi që ajo ofron është 20% më shtrenjtë sesa një konkurent i huaj.

Tregjet publike përfaqësojnë sot një buxhet prej mbi 600 miliardë dollarësh, të cilave do t’ju shtohen në muajt e ardhshëm një plan investimi në infrastrukturë prej 2000 miliardësh dollarë. Presidenti i ri dëshiron që në këto shpenzime të kenë prioritet firmat amerikane dhe vendet e punës në SHBA.

Çfarë do të ishte më logjike në planin politik ? Donald Trump u zgjodh në vitin 2016 me sloganin kryesor të mbrojtjes së humbësve të globalizimit, duke filluar nga elektorati i klasës punëtore të bardhë në shtetet industriale të Midwest. Që atëherë, Partia Demokrate ka tentuar t’i rikuperojë këta votues, duke adoptuar edhe ajo diskursin proteksionist. Por nuk është se duke zgjatur politikat e paraardhësit Trump, presidenti Biden do të arrijë të risjellë në tokën amerikanë uzinat dhe vendet e punës. 

Në këtë plan, bilanci i Donald Trump lë shumë për të dëshiruar. Nëse do të duhet t’i njihnim atij meritën e zgjimit të ndërgjegjes mbi mos respektimin e rregullave të tregtisë ndërkombëtare nga Kina, masat proteksioniste të marra prej tij prodhuan efektin e kundërt nga ai i shpresuar.

Së pari ‘’Buy American’’ pati një kosto të tepruar për taksapaguesit amerikanë, duke shtrenjtuar në mënyrë të konsiderueshme koston e blerjeve publike, siç e tregon një studim i Peterson Institute for International Economics. Çdo vend pune i ruajtur në SHBA falë këtyre masave proteksioniste ka kushtuar një çerek milioni dollarë. Padyshim që kjo para publike do të ishte shpenzuar më mirë në riorientimin dhe formimin profesional. 

Në vazhdim, taksat mbi importin kanë shkaktuar një kosto të shtuar për konsumatorin amerikan dhe nuk kanë pasur ndonjë efekt spektakolar në kthimin e firmave dhe vendeve të punës në tokën amerikane. 

Duke imituar Donald Trump, Joe Biden i ka të gjitha shanset të korrë të njëjtin rezultat. Nëse ambicia për të mbrojtur vendet e punës në Amerikë është legjitime, kjo duhet të bëhet duke kthyer SHBA-të në multilateralizmin tregtar, nga i cili administrata e kaluar ishte vetë-përjashtuar. Më shumë se duke u orientuar nga proteksionizmi, SHBA-të do të ishin të fituara duke milituar në favor të rregullave të reciprocitetit, të cilat do t’iu lehtësonin aksesin në tregjet e reja jashtë. 

Mesazhi i Joe Biden rezikon të jetë inefikas për punëmarrësit amerikanë dhe jo-produktiv për marrëdhënien transatlantike, në momentin kur SHBA-të dhe BE do të kishin nevojë të bëheshin bllok përballë Kinës për ta detyruar që më në fund ajo të respektonte rregullat e tregtisë ndërkombëtare. / Perktheu: Albi Xhunga




Skip to toolbar