Lefter Koka shfaq probleme shëndetësore, transferohet në spitalin e burgut

Më të fundit


Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është transferuar në spitalin e  burgjeve. Ai ka shfaqur problem me zemrën dhe çrregullime të sistemit Kardiak. Mësohet se ai është transferuar në spital ditën e djeshme.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit.


SPAK kërkoi gjithashtu arrestimin e shtetases Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, por këta dy të fundit u shpallën në kërkim pasi policia nuk arriti të gjejë vendndodhjen e tyre. Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.

Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.

Sipas SPAK, koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin ndërsa Albtek dhe Integrated Technology Services kanë bërë pagesa për kompani të cilat dukshëm nuk kanë kryer punimet për të cilat janë paguar.




Skip to toolbar