Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe krerët e BE, darkë informale në Tiranë! Von der Leyen: Takimi, një simbol i fuqishëm

AKTUALITET


Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe krerët e BE-së janë mbledhur të gjithë sonte në Tiranë ku nesër do të zhvillohet samiti i Komunitetit Politik Europian.

Ata janë pritur në një darkë informale në kryeqytetin shqiptar nga kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj.

Siç mund të dallojmë nga pamjet e pranishme është Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ai malazez Jakov Milatoviç, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kryesuesja e presidencës boshnjake Željka Cvijanović dhe kryeministri i RMV, Hristijan Mickoski.

Të pranishëm janë edhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.

Bëhet fjalë për Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa dhe përfaqësuesen e lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas. I Pranishëm është edhe kryeministri polak, Donald Tusk.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka reaguar pas darkës informale me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka shpërndarë një foto të përbashkët dhe shkruan se fakti që takimi i KPE-së mbahet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor është simbol i fuqishëm.

“Në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian. Është hera e parë që mbahet në Ballkanin Perëndimor. Një simbol i fuqishëm. Familja jonë evropiane e vlerave shtrihet përtej kufijve të Bashkimit Evropian. Ndajmë të njëjtin kontinent. Dhe një të ardhme të përbashkët”, shkruan ajo.



Skip to toolbar