Lobimi rus, PD: Hetimin Bashës e kërkuam ne, Rama stisi akuzat

#NËRADAR


Disa orë pasi u publikua dokumenti i Prokurorisë për mbylljen e hetimeve për lobimin rus të PD në SHBA, reagoi Selia Blu. Sipas Partisë Demokratike, prokuroria pushoi akuzat për lobimin rus, pasi ato ishin të stisura. “Prokuroria vendosi pushimin e akuzës qesharake që e stisën dhe e përdorën për të goditur kundërshtarin politik sipas një strategjie të miratuar nga zyra e Edi Ramës. Pasi u keqpërdorën duke akuzuar zyrtarët e Partisë Demokratike për pastrim parash dhe përdorim të parave ruse, prokuroria sot u detyrua të pranojë se këto akuzave të stisura nuk qëndrojnë”, shprehet PD.

Selia Blu shkon më tej kur shkruan se hetimin për lobimin rus në SHBA e kërkoi vetë PD, duke u shprehur se akuzat e ngritura nga mazhoranca, ishin për të zhurmuar skandalet e qeverisë. “E vërteta është se ishte Partia Demokratike që i kërkoi Prokurorisë hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të financave dhe shpenzimeve të saj, e bindur se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin. Partia Demokratike ka deklaruar që ditën e parë se kjo akuzë u sajua nga Edi Rama për të zhurmuar skandalet korruptive të Qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar”.


Sipas Partisë Demokratike, pas dy vjetësh që hetimet qëndruan të hapura për qëllime propagande, tashmë dosja shkon në gjyq, aty ku sipas PD, shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentat e plota.  “Partia Demokratike vlerëson faktin që pas 2 viteve të mbajtjes së kësaj çështje të hapur për qëllime propagande qeveritare, çështja është dërguar në gjyq. Tashmë shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentet e plota, në seanca gjyqësore të hapura dhe transparente, ku do të provohet se Partia Demokratike ka bërë transparencë të plotë të financave të saj dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin çdo shpenzim të kryer”.

Por ndonëse PD e lexon si fitore të saj këtë hetim të Prokurorisë, ajo nuk thotë asnjë fjalë për faktin se pavarësisht mbylljes së hetimit, Prokuroria e thërret si të pandehur kryedemokratin. Gjithashtu, PD shmang në deklaratë komentet edhe për faktin, që personi kyç i hetimeve për lobimin rus në SHBa, Nikolas Muzin është treguar i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare për të dëshmuar rreth kësaj historie, pasi më parë të ketë marrë garancinë se nuk do të hetohet në Shqipëri.

Më tej, në deklarata e Partisë Demokrtike shkruan se “Sot u vërtetua se nuk ka patur kurrë asnjë hetim në SHBA as ndaj Partisë Demokratike, as ndaj kompanisë së lobimit, as ndaj ndonjë zyrtari të Partisë Demokratike. Ajo ishte një sajesë e Edi Ramës, për të fshehur një tjetër hetim që po zhvillohej në SHBA. Në të vërtetë, në SHBA ka patur vetëm një hetim që lidhet me Shqipërinë dhe që ka përfunduar me dënimin e të paktën 2 personave, mbi financimin e paligjshëm të Edi Ramës. Edhe pse faktet janë bërë publike, edhe pse është depozituar kallëzim penal nga opozita, edhe pse dosja e drejtësisë amerikane është e plotë, edhe pse avokatët e personave të dënuar deklaruan që kanë vepruar për llogari të Edi Ramës, prokuroria shqiptare nuk ka kryer asnjë veprim”, thotë PD.




Skip to toolbar