Lobimi rus, zbardhet vendimi për Bashën: Muzin, i pabesueshëm

AKTUALITET


Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin për pushimin e procedimit penal për falsifikim ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha, ish-sekretari të përgjithshëm të PD, Arben Ristani dhe financierit Ilir Dervishi të akuzuar për falsifikim formularësh për çështjen e lobimit.

Në 41 faqe vendim konstatohet se nuk ekziston fakti penal dhe për këtë arsye është vendosur pushimi i çështjes penale. Sipas hetimit gjyqësor ka rezultuar se PD s’ka pasur kontratë lobimi me kompaninë “Biniada Trade”, kompani guaskë, e cila rezulton se ka dhënë 150 mijë dollarë pranë kompanisë së Nick Muzin për të lobuar për Partinë Demokratike në SHBA. Sipas gjykatës kontrata e Nick Muzin me “Biniada Trade” s’ka lidhje me interesa të ndonjë partie politike.


Po ashtu, gjykata ka analizuar dhe deklaratat e Nick Muzin, i cili ka thënë se 500 mijë dollarë i ka marrë nga PD dhe 150 mijë nga “Biniada Trade”, por ky deklarim i tij nuk provohet me dokumente dhe për rrjedhojë ai nuk është i besueshëm dhe s’mund t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës.

Në vendim thuhet se mes Muzin dhe PD nuk ka kontratë edhe as akt marrëveshje shoqëruese ndaj për këtë arsye, gjykata vlerëson se fakti penal nuk ka ekzistuar asnjëherë ndaj edhe ka vendosur pushim e çështjes. Pikërisht vënia në dispozicion e kontratave nga ana e Muzin dhe marrja e dëshmisë së tij nga ana e prokurorisë shqiptare, ka qenë dhe përplasja e prokurorëve për të zgjatur hetimet dhe për të mos u çuar çështja në gjykatë pa këto prova. Por dy nga prokurorët e çështjes firmosën për ta çuar në gjykatë këtë çështje, ndërsa një i tretë nuk pranoi të firmoste. Tashmë, çështja pritet të kalojë në Gjykatën e Apelit, k prokuroria ka deklaruar se do e apelojë pushimin e saj. Vetë lobisti Muzin kishte kërkuar garanci nga drejtësia shqiptare që të jepte dëshminë e tij dhe provat mbi këtë çështje, por që prokurorët nxituan për ta çuar çështjen në gjykatë. Për Departamentin e Shtetit, Muzin kishte deklaruar se i kishte bërë publike financimet për lobim, me qëllim që të mos ndiqej nga drejtësia amerikane.




Skip to toolbar