Lufta e Izraelit ndaj Hamasit dhe shqetësimet për sulme jashtë zonës së konfliktit

AKTUALITET


Izraeli po vazhdon operacionet ushtarake kundër Hamasit dhe aleatëve të tij edhe gjatë festës kryesore për besimtarët e krishterë. Ndërkohë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë mbi mundësinë zgjerimit të konfliktit Izrael-Hamas dhe rrezikun e nxitjes së sulmeve në zona jashtë rajonit të përfshirë në luftë.

Gjatë Krishtlindjeve, ushtria izraelite publikoi pamje të reja ku thotë se shihet operacioni intensiv i saj në veri të Gazës dhe në jug të qytetit Khan Younis. Izraeli thotë se sulmet kanë në shënjestër infrastrukturën e grupit militant Hamas.


Ndërkohë, palestinezët në Khan Younis mblodhën trupat e pajetë të familjarëve të tyre, të vrarë në një sulm ajror gjatë natës. Pjesa më e madhe e botës ka kërkuar ndërprerje afatgjatë të luftimeve, për të ofruar ndihmën e nevojshme për civilët që jetojnë në territoret palestineze.

Presidenti amerikan Joe Biden, gjatë një urimi për Krishtlindjet, tha se pati një bisedë të gjatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ai nuk zbuloi hollësi nga diskutimi, por tha se nuk kërkoi armëpushim.

Ndërkohë, në Tel Aviv, kryeministri Netanyahu mbajti mbledhjen e përjavshme me kabinetin e tij. Ai konfirmoi bisedën me Presidentin Biden, ndërsa shtoi se Izraeli është “një shtet sovran” që vendimet mbi luftën nuk do t’i marrë bazuar në ndikimet e jashtme.

Konflikti në Gazë rrezikon të përhapet jashtë Lindjes së Mesme.

Zyrtarë amerikanë paralajmërojnë rritje të ndjenjave anti-amerikane për shkak të mbështetjes së Uashingtonit për Izraelin.

“Ne po ndihmojmë Izraelin të shkatërrojë Hamasin dhe të mbrojë veten pas sulmit të 7 tetorit. Grupet xhihadiste në të gjithë botën po u bëjnë thirrje pjesëtarëve të tyre të sulmojnë Amerikën ,që të marrin hak për ndihmën që po i japim Izraelit”, thotë Lindsey Graham, senator republikan.

Ministria e shëndetësisë në Gazë, e kontrolluar nga Hamasi, thotë se të paktën 20 mijë palestinezë kanë vdekur nga fillimi i operacionit kundër Hamasit, që pasoi sulmet e 7 tetorit të grupit militant në Izrael, ku u vranë 1200 persona.

Zyrtarët amerikanë shprehen të shqetësuar mbi ndikimin që mund të ketë mbështetja e Uashingtonit për Izraelin.

“Mendoj se konflikti aktual po krijon një mjedis me kërcënime të shtuara. Po shohim organizatat e huaja terroriste që po mundohen të përfitojnë, duke u bërë thirrje mbështetësve të tyre të veprojnë, të bëjnë diçka. Pastaj po shohim me shqetësim individë dhe grupe të vogla, të cilët mund të marrin frymëzim të shtrembëruar nga konflikti jashtë vendit dhe pamjet e rënda që dolën pas sulmeve brutale terroriste të 7 tetorit”, thotë Lisa Monaco, zëvendës Prokurore e Përgjitshme.

Në një kohë kur të krishterët festojnë Krishtlindjet, heshtja ka rënë në një nga qytetet më të rëndësishme fetare.

“E gjithë bota po feston Krishtlindjet këtë vit, por jo Betlehemi. Jo vendlindja e Jezu Krishtit. Betlehemi po feston Krishtlindjet me trishtim dhe pikëllim për shkak të asaj që po ndodh në Gazë, në Bregun Perëndimor, në gjithë territoret palestineze”, thotë Rula Maayah, ministre palestineze e turizmit.

Tema e këtij viti në kishat e Betlehemit është Jezu Krishti i rrethuar me gjemba dhe nën rrënoja, në shenjë solidariteti me popullin e Gazës. Zyrtarët thonë se turizmi këtë vit ra nga 2.3 milionë deri në shtator, në asnjë turist që atëherë./VOA




Skip to toolbar