Mali i Zi miraton mes zhurmës dhe përplasjeve ligjin për komunitetet fetare

AKTUALITET


Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar një projektligj për komunitetet fetare, i cili është kundërshtuar nga opozita pro-serbe, duke ngritur shqetësimin se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë që ka mbi kishat dhe manastiret.

Përgjatë seancës, brenda dhomës së parlamentit janë zhvilluar protesta të dhunshme. Në orët e para të 27 dhjetorit, ligjvënësit kanë votuar projektligjin, ndërsa anëtarët e partisë opozitare Fronti Demokratik kanë tentuar të parandalojnë këtë proces.


Deputetët e opozitës serbe të Frontit Demokratik në parlamentin e Malit të Zi janë nxjerrë nga policia jashtë sallës së Kuvendit. Sipas Agjencisë së lajmeve INA ata u shoqëruan me furgonë policie dhe u dërguan në Qendrën e Sigurimit shtetëror në Podgoricë.

Deputetët serbë shkaktuan incidente në sallën e Kuvendit, duke sulmuar foltoren e kryeparlamentarit Ivan Brajoviç, ndërsa nuk munguan thirrjet për luftë, fyerje të rënda dhe përplasje fizike. Një nga deputetët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiç bëri thirrje për luftë, duke kërkuar që të jenë në gatishmëri të gjithë bashkëluftëtarët e tij që morën pjesë në luftimet e viteve 90-99.

Por, kryetari i Kuvendit, Brajoviç kërkoi që Mandiç të mbajë llogari dhe përgjegjësi se po bën thirrje për luftë. Maxhoranca malazeze dhe deputetët e komuniteteve tjera refuzuan ndryshimet e paraqitura nga mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe (SPC) në Ligjin për Lirinë e Fesë. Debati në Parlamentin Malazez për Ligjin për Lirinë e Fesë përfundoi në 26 Dhjetor rreth orës 20:00, ku ligji mori dritën jeshile. Në fjalën e tij përmbyllëse, Kryeministri Dusko Markoviç paralajmëroi anëtarët e Frontit Demokratik të opozitës të mos kërcënojnë dhe i hodhi poshtë kërcënimet e tyre si të padenja.

Mediat malazeze raportojnë për bllokime të rrugëve në Podgoricë dhe qytete te tjera. Policia në disa zona ka arritur të zhbllokojë rrugët dhe ka ndaluar aktivistë të partisë FD, por pjesëtarët e policisë janë përballur me sulme nga turmat. Presidenti i Këshillit për Kontrollin Civil të Policisë, Aleksandar Zekovic, dënoi sulmet ndaj policisë gjatë bllokimit të rrugëve në Mal të Zi. Zyra e Prokurorit të Shtetit tha se po ndjek thirrjet e deputetëve serbë e personave të tjerë, të cilët mund të përballen me vepra penale për thirrjet për një ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues, kryengritje të armatosur, provokimin e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare dhe vepra të tjera.

Qeveria e Malit të Zi miratoi në fillim të dhjetorit një Ligj mbi Lirinë e Fesë dhe statusin Ligjor të Komuniteteve Fetare, i cili nuk pranohet nga Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Një nga dispozitat e ligjit është që objektet fetare dhe pronat e komuniteteve fetare, përfshirë kishat dhe manastiret serbe që deri në vitin 1918 kanë qenë në pronësi shtetërore, sërish të bëhen pronë e shtetit.




Skip to toolbar