Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se pranimi i detyrës në krye të institucionit ka qenë një vendim i ndërgjegjshëm për të dhënë kontribut në shërbim të vendit. Ajo e përshkroi mandatin si një eksperiencë profesionale të jashtëzakonshme dhe theksoi se është përpjekur të japë më të mirën në ushtrimin e këtij funksioni.
Ballanca vlerësoi se institucioni që drejton ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe rajonal, duke u angazhuar aktivisht në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Sipas saj, çdo vit Avokati i Popullit ka nxjerrë rreth 300 rekomandime për institucionet publike, ndërsa vetëm në pesë vitet e fundit janë zgjidhur mbi 700 deri në 800 raste edhe pa pasur nevojën për një rekomandim formal.
Ajo shtoi se këto rezultate janë tregues i një pune të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, që dëshmon për forcimin e rolit të institucionit si një zë i qytetarëve dhe mbrojtës i të drejtave të tyre.
“Duhet një kontriubut, prandaj edhe unë e pranova këtë detyra si një shërbim ndaj vendit, pa diskutim. Ka pasur një kënaqësi profesionale të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve, jam munduar që të bëj më mirën. Dhe në nivel rajonal dhe kombëtar kemi pasur kontribut të jashtëzakonshëm. Ne kemi çdo vit se 300 rekomandime të nxjerrë nga Avokati i Popullit. Në pesë vitet e fundit kemi nxjerrë statistika se sa çështje kemi zgjidhur pa rekomandim. Kemi pasur 700-800 raste të zgjidhura”, tha avokatja.