Manja: Hetimi i Metës, para 8 Dhjetorit

POLITIKË


Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta, do të mbyllë punën përpara 8 dhjetorit. Këtë e ka deklaruar kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja, i cili ka shpjeguar se cilët do të jenë hapat që do të ndiqen deri në atë datë.

“Brenda afatit të ri që morëm nga Kuvendi, komisioni hetimor do ta përfundojë punën e vet. Do të zbatojmë planin përfundimtar të hetimit të miratuar nga Komisioni”, ka deklaruar Manja në një intervistë për ABC News. Manja shprehet se “do të administrohen provat shkresore, dhe këtu e kam fjalën për opinionin paraprak dhe final të Komisionit të Venecias, do të administrohet dhe shkresa e ardhur nga Presidenti i Republikës lidhur me arsyet që e shtynë të anulojë 30 qershorin, duke respektuar tërësisht klauzolat ligjore për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.

Ai tha se “Komisioni është i detyruar të mbyllë punën që i ka ngarkuar Kuvendi me vendimin nr. 84 të vitit 2019. Është një komision që i kërkohet një vlerësim në aspektin ligjor nëse Presidenti e ka shkelur ose jo Kushtetutën, dhe raporti i këtij komisioni hetimor i tillë do të jetë. Më pas seanca plenare vendos politikisht për shkarkimin e Presidentit të Republikës”. Dhe pse janë të bindur që Meta e ka shkelur Kushtetutën duke çdekretuar 30 Qershorin si datë zgjedhjesh, Ulsi Manja nuk është gati të pohojë votën e tij pro shkarkimit.

“Nuk kam asnjë arsye të paragjykoj votën time e as qëndrimin tim. Unë qëndrimin tim do ta shpreh në komisionin hetimor që unë drejtoj dhe votën time do ta shpreh në seancë plenare së bashku me gjithë kolegët e mi të mazhorancës”, u shpreh ai.

Socialistët do të votojnë shkarkimin, por topi do të ngelet në derën e Gjykatës Kushtetuese. “Votimi në parlament është votim politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm kushtetues që do të japë një vlerësim në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë procedurë shkarkimi”, deklaroi kreu i komisionit hetimor.



Skip to toolbar