Marrëveshja me Italinë, kryetarja e GJK: Juridiksioni i shtetit, i pamohueshëm

AKTUALITET


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në një konferencë për mediat ka sqaruar vendimin që i hapi rrugë ratifikimit të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Ajo u shpreh se shteti shqiptar ka përgjegjësi në lidhje me zonat që do t’i jepen në administrim shtetit italian. Zaçaj theksoi se juridiksioni shqiptar aty është i pamohueshëm dhe vjen nga Kushtetuta ku shteti shqiptar ka detyrimin për të qenë përgjegjës për zbatimin e të drejtave kushtetuese, por edhe vetë Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Pyetje: Kisha një pyetje për protokollin Meloni-Rama për të cilin ju keni dhënë një vendim para disa ditësh. Në një nga pikat e protokollit flitet për një ekskluzivitet të palës italiane në trajtimin e veçantë të emigrantëve etj. Në interpretimin dhe vendimin tuaj flitet për një juridiksion të dyfishtë të palës italiane dhe shqiptare në këtë çështje. Në interpretimin tuaj dhe në vendim thoni që palët në vazhdim do duhet të pasqyrojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese në aktet nënligjore që do të pasojë protokollin. Ju lutem një shpjegim për këtë detaj nëse aktet e mëpasshme ligjore dhe nënligjore do të vazhdojnë bazuar tek ekskluziviteti apo bazuar tek juridiksioni i dyfishtë.

Holta Zaçaj: Vendimi është duke u punuar, kështu që unë do t’i përmbahem vetëm asaj çfarë është thënë në deklaratën për shtyp sepse për sa kohë vendimi është duke u punuar, draftimi dhe gjuha që do të përdoret është akoma në procesin e vet të temperimit. Për ne gjyqtarët kushtetues mënyra se si shkruhet është shumë e rëndësishme. Ajo që gjykata tha me bindje është që shteti shqiptar vazhdon të ketë juridiksion. Pra ne nuk thamë asnjë gjë në lidhje me këtë, të paktën në kohën që u dha vendimi thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, pra nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar në lidhje me këto zona që jepen në administrim të shtetit italian dhe e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në kuadër të së drejtës ndërkombëtare të vetën siç është koncepti i mosdëbimit ose koncepti i faktit që azili kërkohet në vendin e parë të sigurtë. Duke qenë se këta persona priten nga shteti italian dhe në territorin e tij, patjetër shteti italian duhej të vazhdonte të kishte juridiksion për trajtimin e çështjeve të migracionit dhe azilit. Por ajo që ne thamë dhe që shkruam në kuptimin e një juridiksioni të dyfishtë apo të juridiksionit ekstraterritorial të detyrimeve që vijnë nga instrumentet ndërkombëtarë, pra qoftë nga konventa për statusin e refugjatit të vitit ’51, qoftë nga konventa e të drejtave të njeriut, me këtë e pranuam si një gjë faktike që ndodh. Pse? Sepse marrëveshja vetë futet në hierarkinë e normave të shtetit shqiptar, por është e nënvarur, është e vendosur në një rang hierarkik më të ulët nga vetë Kushtetuta, ndërkohë që dhe vetë Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut është sipas nenit 17 është në nivel kushtetues. Pra të gjitha këto të drejta vazhdojnë të mbivendosen mbi atë çfarë thuhet në vetë marrëveshjen. Kështu që në këtë kuadër ky juridiksion i pamohueshëm që vjen nga Kushtetuta ka detyrimin shteti shqiptar për të qenë përgjegjës për zbatimin e të drejtave kushtetuese, por edhe vetë Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut vazhdon të mbetet dhe nuk mund të vihet në diskutim. Përtej kësaj do ta quaja të parakohshme. Kini parasysh që unë flas këtu jo në emrin tim, flas në emër të trupës dhe më duhet që çdo opinion dhe informacion që kam ta kem të rakorduar me trupën.



Skip to toolbar