“Marrëveshja për emigrantët në rrugë të drejtë”, Meloni falënderon Ramën: Ka qenë objekt i çdo sulmi që kur nënshkroi

AKTUALITET


Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, ka shfrytëzuar intervistën në RAI 3 për të shprehur edhe njëherë mirënjohjen nga homologut të saj shqiptar, Edi Rama. Kryeministrja italiane ka thënë se kreu i qeverisë shqiptare është përballur me sulme të pajustifikueshme nga e Majta edhe nga mediat italiane, vetëm e vetëm pasi vendosi të përkrah  zbatimin e planit për qendrat e pritjes së refugjatëve.

“Dua të falënderoj publikisht Edi Ramën sepse ai ka qenë objekt i çdo lloj sulmi, që kur vendosi që të nënshkruajë këtë protokoll me ne. Ajo që dëshiron të bëjë Edi Rama është që të ndihmojë Italinë. Fakti që e majta këtu kërkonte përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Evropiane që e quan Shqipërinë narko shtet, fakti që atij i atribuojnë fjalë që nuk i ka thënë, është padrejtësi. Nuk e kuptoj pse e majta italiane nuk e falënderon Edi Ramën që po na jep një dorë për të përballuar fenomenin e emigracionit të paligjshëm. Besoj se ne duhet ta falënderojmë të gjithë Edi Ramën për këtë kontribut”, ka thënë ajo.


Marrëveshja mes Romës dhe Tiranës sipas Melonit po ecën para. Referuar kryeministres italiane, ajo madje shërben edhe si model.

“Të gjithë duhet të kuptojnë se nëse protokolli me Shqipërinë funksionon siç duhet, do të ndikonte pozitivisht në menaxhimin e duhur të refugjatëve të paligjshëm edhe në nivel evropian. Duhej të paktën një minimum koherence, por të mos shqetësohen se ky projekt me Shqipërinë do të jetë i suksesshëm, duke shërbyer si model për të tjerët”, është shprehur Meloni.

Si një marrëveshje për të marrë shembull e ka cilësuar edhe ministrja e brendshme të Gjermanisë.

“Unë shikoj me interes se çfarë po bën Italia së bashku me Shqipërinë. Është një model interesant. “Do të ndjekim nga afër” zbatimin e modelit shqiptar.” Deklaroi Nancy Faeser në një intervistë për mediat vendase .




Skip to toolbar