Masakra e Srebrenicës/ Balla: Një plagë e hapur në zemër të Evropës

AKTUALITET


Kuvendi i Shqipërisë nderoi sot ne nje seance te posacme plenare viktimat e gjenocidit serb në Srebrenicë. Kreu i grupit parlamentar te PS, Taulant Balla tha se ky gjenocid duhet të shërbejë si kambanë alarmi ndaj rreziqeve të forcave ekstreme të nacionalizmit.

“Mijëra burra të ekzekutuar dhe të varrosur në varreza masive, fëmijë të vrarë para syve të nënave të tyre. Këto janë vërtet skena ferri të shkuara në faqet më të errëta të historisë. Në 11 korrik 1995 qyteti boshnjak i Srebrenicës, i cili kohë më parë ishte shpallur një zonë e sigurt u kap nga forcat serbe të Bosnjës. Prej atij momenti për disa ditë me radhë më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë të cilët kishin kërkuar siguri në këtë zonë. Rreth 30 mijë gra, fëmijë, të moshuar u dhunuan dhe u dëbuan me forcë në një fushatë masive të spastrimit etnik. Histori tragjike por dhe e turpshme e kohëve modern mu në zemër të Evropës. Kjo duhet të shërbejë si një kambanë alarmi ndaj rreziqeve. Gjenocidi i Srebrenicës u shtri pak kohë më pas edhe në Kosovë. Fatkeqësisht u ngjall së fundmi edhe në Ukrainë. Sot jemi mbledhur të kujtojmë dhe nderojmë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Kjo rezolutë është dokument tepër serioz, larg çdo forme folklorizimi, është gjuha e zemrës së shqiptarit dhe Shqipërisë. Kjo rezolutë vjen në mbështetje të objektivave të presidencës shqiptare të këshillit të sigurimit që fokusoheshin ndër respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Evropa dhe Kombet  e Bashkuara dështuan turpësisht ta ndalonin atë masakrës. Gjenocidi do mbetet si një plagë e hapur në zemër të Evropës për të na kujtuar që krime të tilla të mos ndodhin më kurrë. Rezoluta që Kuvendi miraton sot dënon vazhdimin dhe përshkallëzimin e urrejtjes etnike. Të shpallet 11 korriku si dita e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë”, tha Balla.





Skip to toolbar