Masat për sezonin turistik, Task-Forca: Me rregulla, por situata më e kontrolluar

CORONAVIRUS



Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi kanë marrë pjesë në mbledhjen e Task-Forcës së Turizmit për Qarkun e Tiranës, ku lajmëruan masat e përbashkëta për mbarëvajtjen e një sezoni turistik të sigurt, përtej pandemisë.

Duke ndjekur nga afër procesin e vaksinimit për operatorët turistikë në zonën e Golemit, Ministrja Manastirliu u shpreh se brenda muajit Maj do të përfundojë vaksinimi i të gjithë punonjësve të strukturave akomoduese, për të lehtësuar sezonin turistik.


“Deri tani kemi kryer mbi 4 mijë vaksinime në të gjithë rrjetin e tour-operatorëve. Do të vijojmë vaksinimet ashtu sikurse e kemi nisur, me intensitet të shtuar, në mënyrë që të kemi një sezon turistik më të lehtësuar. Brenda muajit maj do të përfundojmë vaksinimin e punonjësve të strukturave akomoduese, siç e kemi nisur, qoftë në qendrat e vaksinimit të përqendruar por qoftë edhe në strukturat vetë, siç jemi sot në këtë komples, ku po kryhet vaksinimi i stafeve”, tha Manastirliu.

Ministri Klosi u shpreh se këtë vit do të kemi një sezon “covid free” dhe siguri të garantuar në të gjitha pikëpamjet.

“Megjithatë them që edhe përse po shkojmë mirë me vaksinimin, na duhet që së bashku ekspertët e dy institucioneve tona t’i paraqesin Komitetit të Ekspertëve një protokoll të caktuar edhe për vitin 2021, pasi përsëri do të duhet të kemi disa rregulla në zbatimin e këtij sezoni ashtu siç në fakt kishim edhe në vitin e kaluar, por pa dyshim ia dolëm që të ishim një sezon i kontrolluar nga pikëpamja e pandemisë”.

Gjatë konsultimeve me operatorët turistikë të zhvilluara në mbledhjen e Task-Forcës të zhvilluar në Golem, Manastirliu bëri me dije masat e shëndetësisë për sezonin veror, të fokusuara në tre komponentë.

“Prioritet mbetet vaksinimi, që, siç e përmenda do ta përfundojmë brenda muajit maj për operatorët turistikë. Sezoni turistik do të vijojë që të ketë në komponentët e tij edhe hapjen e qendrave shëndetësore verore. Do të jenë edhe këtë vit 28 qendra shëndetësore verore, me kujdes 24 orë, të cilat do të hapen përgjatë të gjithë zonave bregdetare, por edhe atyre turistike malore. Komponenti i tretë po kaq i rëndësishëm është programi i dezinsektimit të zonave turistike, i cili ka nisur sot në vijën bregdetare të Durrësit dhe në zonën e jugut dhe deri në datë 28 maj përfundon dezinsektimi i parë si proces i plazheve, duke filluar nga Velipoja drejt Shëngjinit dhe duke u finalizuar përgjatë gjithë bregdetit”, tha Manastirliu.

Ministri Klosi deklaroi se do të ketë rregulla që nga siguria e jetës në plazhe, sigurimi i rendit, niveli i zhurmave, muzikës, duke garantuar komoditet për çdo pushues vendas dhe të huaj. “Sot deklaroj publikisht nga ky takim i Task-Forcës që hapet sistemi i aplikimit për operatorët turistikë që duan të posedojnë një stacion plazhi. Parimet do të jenë të njëjta si në vitin 2020. Mund të them me plot gojën që ia dolëm të kishim një sistem shumë efikas, nëpërmjet platformës sonë tashmë publike dhe shumë transparente e-albania”, tha Ministri Klosi.

Edhe sezoni turistik 2021 do të ketë një protokoll sa i takon masave antiCovid, për të patur një situatë të kontrolluar të Covid-19 gjatë sezonit turistik.