Mashtronte përmes një poste private, punonjësja në Korçë përvetëson 3 milionë euro

AKTUALITET


Një agjente e shërbimeve postare private është arrestuar pasi akuzohet se përmes mashtrimit ka përfituar shuma të mëdha monetare. Sipas policisë dyshohet se korçarja Alma Beqiri përmes mashtrimit ka mundur të përvetësojë 3 milionë euro për një periudhë 2 vjeçare.

Mësohet se 46 vjeçarja ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec.


Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se kjo shtetase, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro” informon policia e Korçës.

E arrestuara shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.

Ku shkuan 3 milionë euro?  

Shumën e konsiderueshme të përfituar, kjo shtetase dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj’ informoi sot policia e Korçës.

Operacioni policor u kodua “Postmail” dhe u finalizua pas hetimeve të thelluara 2-mujore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.

Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi.




Skip to toolbar