“Ngel” për vjeshtë shkarkimi i Malajt. Ruçi i pason topin Ramës: Hiqe vetë

AKTUALITET


Shkarkimi i Arben Malajt nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë është shtyrë për sesionin e ardhshëm parlamentar që nis në vjeshtë. Kërkesa e 28 deputetëve të maxhorancës që kërkojnë shkarkimin e Malajt është hequr nga rendi i ditës i punimeve të kuvendit në seancën e së enjtes, e cila është edhe seanca e fundit për këtë sesion parlamentar.

Kërkesa e deputetëve ishte parashikuar të miratohej në seancën e së enjtes, por siç duket është vendosur të miratohet në nisje të sesionit të ri parlamentar.


Këtë  ndryshim e ka sqaruar kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i cili sqaroi se Kuvendi ka moskompetencë për shkarkimin e Malajt nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe se nismën për këtë e merr Këshilli i Ministrave “Lidhur me këtë cështje njoftoj nismëtarët dhe kuvendin se kërkesa nga ana ime i është përcjellë Këshillit të Ministrave për kompetencë, pasi në zbatim të nenit 47/1 të ligjit për BSH Këshilli i Ministrave është ai që nis procedurën dhe nëse ai e nis vihen në lëvizje procedurat e tjera sipas rregullores së Kuvendit, komisionet dhe mandej seanca e Kuvendit”,  u shpreh Ruçi.

Kujtojmë se Ruçi ka një miqësi të vjetër me Arben Malajn dhe për shumë vite kanë qenë kolegë në Partisë Socialiste.

28 deputetë socialistë firmosën dy ditë më herët një kërkesë përmes të cilës kërkonin shkarkimin e Arben Malajt nga Këshilli i Mbikqyrjes së Bankës së Shqipërisë me argumentin se ai ka shkelur kodin e etikës përmes qëndrimeve dhe deklaratave politike që ka mbajtur në media. Në kërkesë shkruhet se qëndrimet politike të Malajt bien në kundërshtim me kërkesat që parashikon Kodi i Etikës i Bankës së Shqipërisë. Edhe institucioni i Bankës së Shqipërisë përmes një reagimi publik pohoi shkeljen e pretenduar nga socialistët.

Banka e Shqipërisë thekson se në përcaktimin e parimeve bazë të sjelljes së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Kodi i Etikës sanksionon detyrimin e tyre për të qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e detyrave dhe të përgjegjësive të tyre, pasi përfaqësojnë organin më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Vetë Malaj e cilësoi një vendim politik kërkesën e deputetëve socialistë për ta shkarkuar, që rezultojnë të jenë po të njejtët deputetë që e propozuan për këtë post.

Një votim për shkarkimin e Malajt në Kuvend, mund të krijonte probleme të panevojshme për maxhorancën në votim të fshehtë. Votat miqësore kundër shkarkimit, lehtësisht mund të interpretoheshin si vota brenda mazhorancës kundër qeverisë. Kështu që Ruçi duket ka gjetur rrugën e duhur: edhe ruan qeverinë, edhe ruan veten dhe parlamentin, nga ndonjë përçarje e panevojshme.




Skip to toolbar