Mbjellja e kanabisit në Fier çon në pranga 2 policë, kryeplakun dhe 4 kultivues

AKTUALITET


Dy efektivë policie, kryeplaku i fshatit Cakran dhe katër persona të tjerë janë arrestuar për kultivim kanabisi nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Ata akuzohen për “Shpërdorim detyre“ dhe “Kultivim i bimëve narkotike” ndërsa hetimi zgjati disa muaj. Ministria e Brendshme deklaroi se janë arrestuar G.B., 48 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kraps, Fier, me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Fierit; Z.K., 57 vjeç, me detyrë agjent i policisë kriminale në Komisariatin e Fierit dhe B.Xh., 62 vjeç, kryeplak i fshatit Cakran. Po ashtu në pranga kanë rënë katër banorë të Cakranit, konkretisht; G.M., 49 vjeç, I.M., 39 vjeç, E.Sh., 50 vjeç dhe A.K., 25 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim F.C. 68 vjeç.

Sipas policisë, dy punonjësit e policisë, duke shpërdorur detyrën dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e bimëve narkotike, në këmbim të përfitimeve financiare. Në këtë veprimtari kriminale dyshohet se është implikuar edhe kryeplaku në Njësinë Administrative Cakran.

Ndërkohë si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur evidentimi i 3 parcelave të mbjella me rreth 300 rrënjë në zonën e Cakranit, si edhe gropa të hapura për mbjelljen e tyre. Gjithashtu, në vendin e quajtur “Liqeni i Cakranit”, u evidentuan parcela të vogla me 30-50 rrënjë. Gjatë kontrollit të banesave ndaj të arrestuarve u evidentuan edhe disa kubikë të mbjella me lëndë narkotike kanabis.



Skip to toolbar