Administrata e re e SHBA ka njoftuar mbylljen e USAID, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. Duke diskutuar për këtë në “Real Story”, eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare Ledjon Krisafi tha se një ndër arsyet e këtij veprimi është fakti se janë shpenzuar para kot.
Sipas Krisafit, mund të ‘lindë’ edhe një konflikt mes Elon Musk dhe pjesës tjetër të administratës së Trump për këtë çështje. Ndërkohë pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare Emilio Çika u shpreh se nuk beson se do të mbyllet agjencia por do të rikonfigurohet nga administrata e re e Trumpit.
Pjesë nga diskutimi
Ledjon Krisafi: Mendoj se USAID ka tre anë. E para lidhet me kursimin e parave. Arsyeja kryesore e këtij veprimi, një pjesë e madhe e parave, edhe në Shqipëri janë harxhuar kot. Projektet nuk janë të gjitha kështu. Një pjesë kanë qenë të rëndësishme. Nuk janë të gjitha të lidhura me diversitetin, LGBT, transgjinorët sepse është përdorur si justifikim nga administrate Trump. Ana e dytë lidhet me faktin se në shumë vende të botës, sidomos atyre rreth Rusisë, USAID është parë si një mënyrë se si Amerika ndikonte në këto vende, në politikën e tyre. Po shihja mediat ruse që ishin të shokuara. Nuk e besonin dot se SHBA do ta mbyllte dot një agjenci që ata mendonin se ishte kundër ruse në vendet rreth e rrotull. E treta, ka lidhje me fillimin e një konflikti brenda administratës Trump, mes Elon Musk dhe pjesës tjetër të administratës. Rubio mendoj se është pjesë e stablishmentit, ka shumë vite senator dhe mund të jetë fillimi i një konflikti brenda administratës. Fakti që mbyllet të premten tregon se mban anën e Elon Musk.
Emilio Çika: Do të bëhet një kontroll se si janë shpenzuar paratë gjatë programeve. USAID ka mbështetur edhe reforma në vende të caktuara. E dyta, që në momentin që Musk hodhi akuzat e para deri tani jemi mësuar ase ato që ka thënë Musk ka qenë në aspektin personal, tashmë është zë i administratës amerikane. Nuk besoj se është jashtë linjës së qëndrimeve të Trump. Rrjedhimisht shpreh vullnetin e Trump. Përveç kësaj nuk besoj se do të ketë zhdukje të kësaj agjencie, ndoshta rikonfigurim apo ndryshime të vogla me emërtimin e saj. Ajo që është e rëndësishme është që USAID do të rivendoset brenda linjës së administratës së re amerikane. Besoj se do të ketë një kontroll të fondeve që janë dhënë deri më tani. Kjo i adresohet vendeve të caktuara. E treta është në të gjithë logjikën e asaj që po ndërmerr Trump, ku po përpiqet të vërë kontrollin absolut. Kontrolli financiar mund të nxjerrë surpriza në të ardhmen edhe për vende të caktuara, të cilat administrata amerikane ndoshta do të ketë interes për të nxjerrë surpriza./abcnews.al